“Vitin e ardhshëm mirëpresim samitin e G20 në Florida”, Trump: Do të doja të ishin edhe Xi e Putin

06/09/2025 13:00

Presidenti Donald Trump deklaroi të premten se Shtetet e Bashkuara do të presin samitin e ardhshëm të G20-ës në klubin e tij të golfit në Doral, Florida, duke e quajtur atë “vendi më i mirë” për këtë ngjarje ndërkombëtare të nivelit të lartë, ndërsa këmbënguli se biznesi i familjes së tij “nuk do të përfitojë para nga kjo”.

Në mandatin e tij të parë, Trump tentoi të organizonte një samit të ngjashëm në të njëjtin resort, por u tërhoq pas kritikave nga brenda partisë së tij për përplasjen e interesave.

Ai tha se do të “donte” që Vladimir Putin dhe Xi Jinping të merrnin pjesë.

“Do t’i doja edhe unë, nëse ata duan”, tha Trump sipas The Telegraph.

Nga politika te përfitimi: Vijon përzierja e interesave personale dhe publike

Edhe pse djemtë e tij drejtojnë organizatën “Trump Organization” që nga koha kur Trump u bë president, ai nuk ka fshehur përpjekjet për ta shfrytëzuar statusin e tij për të promovuar markën “Trump” në arenën globale.

Së fundmi, Trump ka promovuar në mënyrë aktive monedhën e tij digjitale $TRUMP, madje në muajin maj organizoi një darkë luksoze për 220 investitorët më të mëdhenj të këtij projekti në pronën e tij në Virxhinia.

Ai gjithashtu udhëtoi drejt Skocisë për të inauguruar një fushë të re golfi, ndërsa vizitën e parë si president jashtë vendit e kishte në Arabinë Saudite – vetëm pak kohë pasi djemtë e tij kishin kërkuar investitorë në rajon për ndërmarrje të tjera kriptomonedhash të familjes.

Samiti i G20-ës, që përfshin ekonomitë kryesore botërore, Bashkimin Evropian dhe Unionin Afrikan, do të mbahet në dhjetor 2026 – një periudhë kur hotelet në Florida janë zakonisht të zëna, sipas Trump. Ai theksoi se Doral është “vendi më i përshtatshëm” për shkak të hapësirës dhe afërsisë me aeroportin e Miamit.

“Mendoj se të gjithë e duan atje,” – tha Trump, duke shtuar: “Është vendi më i mirë, çdo gjë është e bukur… nuk do të fitojmë asnjë para prej tij. Thjesht dua që gjithçka të shkojë mirë. Mendoj se do të jetë një gjë shumë e bukur.”

Ai pretendoi se çdo delegacion do të ketë ndërtesën e vet brenda resortit dhe se ishte një nga pronat më të suksesshme në SHBA.

Kritikë apo përfitim ekonomik?

Kryetari i Bashkisë së Miamit, Francis Suarez, i cili mori pjesë në njoftimin zyrtar në Zyrën Ovale, tha se kjo vendos qytetin në hartën globale dhe përfaqëson një “bum ekonomik të jashtëzakonshëm” për zonën.

“Presidenti e di këtë – ai ka disa prona në fushën e mikpritjes,” – shtoi Suarez.

Ndërkohë, Trump bëri të ditur se nuk do të marrë pjesë në samitin e këtij viti në Afrikën e Jugut dhe se do të përfaqësohet nga zëvendëspresidenti i tij, JD Vance.

Kjo do të jetë hera e parë që Shtetet e Bashkuara organizojnë një samit të G20 që nga viti 2009, kur ai u mbajt në Pittsburgh.

Top Channel