
Në 31 gusht 1997, Princesha Diana humbi jetën tragjikisht në një aksident në Paris, duke lënë pas një boshllëk të madh për familjen dhe miliona admirues në mbarë botën.
Një javë më vonë, mijëra njerëz u mblodhën në Londër për t’i dhënë lamtumirën e fundit, ndërsa dy djemtë e saj të vegjël, Princi William dhe Princi Harry, u panë duke ecur me kokat ulur pas arkivolit të nënës së tyre.
Pamja e tyre krah babait, Princit Charles, gjyshit Princ Philip dhe xhaxhait Charles Spencer, mbetet një nga momentet më të prekshme dhe të paharrueshme të asaj dite. Në kujtimet e tij, Harry e ka përshkruar këtë përvojë si një barrë të rëndë për një 12-vjeçar.
Ai kujton se hera e parë që pa arkivolin e mbuluar me Standardin Mbretëror i shkaktoi një ndjenjë konfuzioni dhe rebelimi të brendshëm.
“Standardi Mbretëror ishte gjithmonë për anëtarët e familjes mbretërore, dhe mua më kishin thënë se Mami nuk ishte më pjesë e saj pas divorcit. A do të thoshte kjo se ajo ishte falur? Nga kush? Nga Mami? Ishin pyetje që nuk mund t’i bëja”, shkruan Harry.
Sipas tij, plani i parë ishte që arkivoli të tërhiqej nga një karrocë me kuaj dhe dy djemtë të ecnin pas tij. Një ide që shkaktoi polemika brenda familjes.
“Xhaxhai im, Charles, ishte i zemëruar. Ai protestoi duke thënë: ‘Nuk mund t’i detyroni këta djem të ecin pas arkivolit të nënës së tyre! Është barbarizëm”.
Një propozim tjetër ishte që vetëm William, atëherë 15 vjeç, të ecte i vetëm. Por kjo u refuzua.
“Na thanë se duhet të ecnim të dy, ndoshta për të fituar më shumë simpati nga publiku“, shkruan Harry me ironi të hidhur.
Për shumë, ajo pamje simbolizoi forcën dhe dhimbjen e dy djemve që po përballeshin me një humbje të pazëvendësueshme.
Por, siç rrëfen sot Harry, pas atij momenti qëndronte një realitet i rëndë: presioni publik dhe vendimet e ftohta të oborrit mbretëror.
Top Channel