
Nënkryetari i Bashkisë Tiranë, Blendi Sulaj zhvilloi një dëgjesë publike në Baldushk, ku theksoi rëndësinë e zhvillimit rural dhe mbështetjen për fermerët dhe blegtorët e zonës.
“Baldushkun e njoh mirë. Është një nga fshatrat më të bukur që ka sot jo vetëm Tirana, por edhe gjithë Shqipëria”, tha Sulaj
Ai nënvizoi se fokusi i bashkisë është që të gjithë produktet e zonës të jenë konkurruese dhe të promovohen në tregjet në vend dhe më gjerë.
“Produktet e zonës duhet të jenë konkurruese, të shiten dhe të konkurrojnë edhe me produktet e importit. Vetëm duke u bërë pjesë e projekteve që kemi krijuar, mund të arrijmë këtë”, tha Sulaj.
Më tej ai theksoi mbështetjen konkrete nga bashkia dhe partnerët për fermerët, ndërsa u bëri apel që të aplikojnë.
“Bashkia e Tiranës ka grante për biznesin e vogël në zonat rurale dhe mbështet çdo iniciativë. Përmes partnerëve mund të merrni makineri bujqësore; fondet janë të hapura për t’u përfituar. Nuk është vetëm ndihmë që japim ne, por ndihmojmë njëri-tjetrin. Vetëm kështu produktet që dalin nga zonat rurale të Tiranës mund të jenë konkurruese jo vetëm në Shqipëri, por edhe për eksport. Regjistrohuni si fermer, aplikoni, bëhuni pjesë e projekteve dhe do të përfitoni shumë nga ndihmat që ju vijnë. Nuk është diçka që po jua jep shteti për t’u ndihmuar, ju e meritoni sepse shumicën e punës e bëni vetë”, sqaroi nënkryetari.
Në përfundim, Sulaj shtoi se të gjitha problematikat, nga ato më të voglat tek më të vështirat, do të zgjidhen nëse punohet me bashkëpunim: “Fokusi ynë është zhvillimi rural dhe mbështetja maksimale për fermerët dhe bujqësinë.”
Top Channel