
Në një kohë kur po diskutohet drafti i ri i Kodit Penal, aktorë të shoqërisë civile vlerësojnë se nuk duhet të vijojmë me penalizimin e punës së seksit pasi nuk e zgjidh problemin, por e thellon më tej duke shtuar shfrytëzimin dhe trafikimin e qenieve njerëzore, ndërsa nga ana shëndetësore rrit sëmundjet seksualisht të transmetueshme, shqetësim të cilin e ka ngritur edhe Instituti i Shëndetit Publik.
Krahas zhvillimit të turizmit, në rrugët e Tiranës kryesisht, por jo vetëm, dukshëm shihen vajza të reja të huaja dhe jo, të cilat ofrojnë marrëdhënie seksuale kundrejt pagesës.
Nga ana tjetër shumë hotele punësojnë këto vajza në pastrim, kuzhinë apo qendra SPA duke i shfrytëzuar edhe si punonjëse seksi. Por nga ana tjetër, mjekë të cilët trajtojnë sëmundjet infektive prej kohësh kanë ngritur shqetësimin e sëmundjeve seksualisht të transmetueshme tek të rinjtë.
Olimbi Hoxha, Shoqata e HIV/AIDS: “Duhet të legalizohen pasi kështu, jo vetëm licencohen, dihet kush janë, kontrollohen dhe taksohen dhe nuk krijojmë vatra të sëmundjeve infektive”.
Vende që e kanë dekriminalizuar punën e seksit kanë përmirësim të treguesve të shëndetit publik dhe po kështu kontroll ndaj atyre që e ofrojnë duke i mbrojtur nga trafikimi i qenieve njerëzore.
Top Channel