
Një sulm me thikë ndodhi sot në një shkollë profesionale në Gjermani.
Një operacion i madh i policisë dhe shërbimeve të emergjencës është në zhvillim e sipër në zonën “Bildungspark” në lagjen Nordviertel të qytetit.
Sipas informacioneve të medias gjermane BILD, një nxënës 18-vjeçar me origjinë nga Kosova ka sulmuar një mësuese me thikë, duke e goditur në bark. Gruaja u plagos rëndë dhe është dërguar me urgjencë në spitalin universitar. Megjithatë, sipas zjarrfikësve, ajo është jashtë rrezikut për jetën.
Autori është nxënës në të njëjtën shkollë. Ende nuk është e qartë nëse ai ndodhej në mësim në momentin e sulmit apo ka hyrë me forcë në klasë. Pas sulmit, ai është larguar nga vendngjarja.
Rreth orës 11:00, policia mori një njoftim për një person të dyshimtë në një park rreth tre kilometra larg shkollës, që përputhej me përshkrimin e autorit. Gjatë përballjes me forcat speciale të policisë, i riu dyshohet se ka vrapuar drejt tyre me thikë në dorë. Si pasojë, policia ka qëlluar mbi të dhe e ka neutralizuar. Ai është arrestuar dhe ndodhet në mbikëqyrje.
Godina e shkollës është rrethuar nga forca të shumta të armatosura dhe me pajisje mbrojtëse. Një helikopter i policisë ka patrulluar mbi zonë për disa orë.
Top Channel