
Kualifikueset e Kupës së Botës 2026, që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada, kanë hyrë në një fazë vendimtare.
Japonia ishte e para që kualifikohej më 20 mars, ndërsa pas saj e siguruan biletën edhe Zelanda e Re, Irani, Argjentina, Uzbekistani, Koreja e Jugut, Jordania, Australia, Brazili, Ekuadori, Uruguai, Kolumbia dhe Paraguai.
Amerika e Jugut ka mbyllur tashmë pjesën më të madhe të procesit. Tre biletat e fundit automatike u ndanë të enjten, kur humbja e Venezuelës 3-0 ndaj Argjentinës i dha dritën jeshile Uruguait, Kolumbisë dhe Paraguait. Ata i bashkohen Brazilit, Ekuadorit dhe Argjentinës që ishin kualifikuar më herët.
Në ndeshjen e fundit të kësaj jave, të martën, mbetet për t’u vendosur vetëm kush do të shkojë në playoff ndërkombëtar.
Venezuela është aktualisht e shtata, një pikë mbi Bolivinë, dhe një fitore ndaj Kolumbisë do ta mbyllte çështjen. Megjithatë, edhe një barazim mund të mjaftojë, nëse Bolivia nuk arrin të fitojë ndaj Brazilit në La Paz.
Për Bolivinë detyra është thuajse e pamundur: duhet të fitojë patjetër dhe të shpresojë se Venezuela nuk shkon më larg se barazimi.
Në Evropë, kualifikueset nisën më 21 mars dhe do të zgjasin deri në nëntor të vitit 2025. 54 shtete po marrin pjesë, me përjashtim të Rusisë që mbetet e pezulluar për shkak të luftës në Ukrainë.
Sistemi i garës parashikon 12 grupe, ku fituesit do të kualifikohen direkt, ndërsa skuadrat e vendit të dytë do të shkojnë në playoff. Katër bileta të tjera do të ndahen në mars 2026 përmes një sistemi të veçantë që përfshin edhe fituesit e Ligës së Kombeve.
Në Afrikë mbeten edhe katër raunde ndeshjesh, por mund të ketë surpriza javën e ardhshme me emrat e parë që sigurojnë pjesëmarrjen.
Ndërkohë, në Azi gjashtë skuadra e kanë vulosur tashmë pjesëmarrjen, ndërsa raundi tjetër nis në tetor.
Oqeania ka përfunduar procesin me Zelandën e Re të kualifikuar direkt dhe Kaledoninë e Re që shkon në playoff.
Botërori 2026 do të jetë edicioni i parë me 48 ekipe pjesëmarrëse. Deri tani, përveç tre vendeve pritëse, janë zbuluar vetëm 13 kombëtare të tjera, ndërsa gara nëpër kontinente premton një fund dramatik për vendet e mbetura.
Top Channel