
Jasveen Sangha, e njohur si “Mbretëresha e Ketaminës”, u paraqit në gjykatën federale në Los Angeles dhe pranoi se kishte furnizuar drogën që shkaktoi vdekjen e aktorit të njohur nga sitcom-i “Friends”, Matthew Perry.
Sangha ka qenë në burg që nga gushti i vitit 2024, ndërsa dënimi i saj do të shpallet më 10 dhjetor.
Sangha ka pranuar disa akuza, përfshirë trafikimin e drogës që rezultoi në vdekje. Sipas padisë, ajo bashkëpunoi me një ndërmjetës, Erik Fleming, për të shitur shishe me ketaminë asistentit personal të Perry-t, Kenneth Iwamasa, i cili i injektoi aktorit të paktën tre doza vdekjeprurëse ditën e vdekjes së tij.
Pasi u përhap lajmi për vdekjen e aktorit, Sangha i kërkoi Fleming-ut të fshinte të gjitha mesazhet. Gjatë kontrollit në shtëpinë e Fleming në Hollywood Verior, hetuesit gjetën metamfetaminë, ekstazi, kokainë, pilula Xanax të falsifikuara dhe pajisje për të peshuar dhe shpërndarë drogë.
Sangha gjithashtu pranoi se kishte shitur ketaminë një burri tjetër, i cili vdiq nga mbidoza në vitin 2019. Avokati i saj, Mark Geragos, tha: “Ai po merr përgjegjësinë.”
Përveç tre individëve të përmendur, dy mjekë, Mark Chavez dhe Salvador Plasencia, gjithashtu pranuan fajësinë për dënime të reduktuara. Plasencia, sipas mesazheve të zbuluara, kishte rishitur ketaminën Perry-t me çmime të tepruara, duke i kushtuar aktorit deri në 2,000 dollarë për flakon.
Matthew Perry u gjet i vdekur në tetor 2023, në moshën 54 vjeç, në xhakuzinë e rezidencës së tij në Pacific Palisades. Autopsia zbuloi nivele jashtëzakonisht të larta të drogës në trupin e tij, duke çuar në një hetim ndërkombëtar dhe një seri aktesh ligjore që përfshijnë pesë persona të ndryshëm.
Top Channel