Thjeshtësohen ndërhyrjet në tru, pranë neurokirurgjisë vendosen pajisje që shkurtojnë disa herë kohën e operacioneve

04/09/2025 15:32

Ndërhyrjet në tru janë ndër më të komplikuarat dhe zgjasin deri në 12 orë, por edhe më shumë, shpjegojnë mjekët kirurge.

Dhe po kështu, ndërhyrjet kirurgjikale në sistemin nervor periferik, hernie diskale e cervikale, masa tumorale konsiderohen ndërhyrje të komplikuara.

Në Shërbimin e Neurokirurgjisë ka mbërritur një mikroskop operator i fjalës së fundit të teknologjisë, që do të shkurtojë me afro 2 orë ndërhyrje të tilla.

Prof. Dr. Artur Xhumari – shef i Shërbimit të Neurokirurgjisë QSUT thotë: “Në një vit kryhen rreth 1,700 ndërhyrje kirurgjikale të llojeve e ndryshme, nga të cilat 30% e tyre kanë nevojë për mikroskopin operator, i cili ofron më shumë siguri për mjekun aty ku ndërhyn.

Ne kemi operuar deri më tani me mikroskop optik, pra me një pamje më të kufizuar. Tani kemi një ekran digjital me një rezolucion më të qartë, ku kalojmë në çipa të trurit pa dëmtuar.”

Por përveç benefiteve për pacientët, ky mikroskop është një avantazh për të gjithë ekipin kirurgjikal, pasi përfshihen në operacion, ndryshe nga mikroskopi optik, i cili ofron pamjen vetëm për kryekirurgun.

“Pamja ofrohet për të gjithë: aty ku ndërhyhet e sheh ai që ka bisturinë, ai që jep mendim, por edhe studenti që po mëson”, thotë prof. dr. Xhumari.

Ky mikroskop operator do të përdoret për ndërhyrjet që vlerësohen më të komplikuara.

 

Top Channel