
Paris Jackson ka kritikuar një film të ardhshëm biografik për babanë e saj, Michael Jackson, me pretendimin se është “zero për qind e përfshirë” në film.
Komentet vijnë vetëm dy ditë pasi aktori Colman Domingo, i cili luan patriarkun e familjes Joe Jackson në filmin Michael, lavdëroi kontributin e Paris-it.
Domingo tha se Paris ka qenë “vetëm e dashur dhe e ngrohtë” me të. “Jam i emocionuar të jem këtu sonte në AmfAR me Paris-in”, tha ai, gjatë një eventi në festivalin e filmit në Venecia.
Të martën në mbrëmje, Paris reagoi në Instagram për të hedhur poshtë versionin e ngjarjeve të Domingo-s.
“Mos u thuaj njerëzve që unë isha ‘ndihmuese’ në xhirimet e një filmi ku kisha zero për qind përfshirje, kjo është shumë e çuditshme”, shkroi këngëtarja dhe aktorja 27-vjeçare.
“E lexova një nga versionet e para të skenarit dhe dhashë komentet e mia për atë që ishte jo e ndershme/ nuk më tingëllonte mirë, dhe kur ata nuk i morën parasysh, vazhdova me jetën time. Thjesht u tërhoqa dhe e lashë sepse nuk është projekti im. Ata do të bëjnë çfarëdo që do të bëjnë. Një nga arsyet kryesore pse nuk kam thënë asgjë deri tani është sepse e di që shumë prej jush do të jeni të lumtur me të. Një pjesë e madhe e filmit i përket një pjese shumë specifike të fansave të babait tim që ende jetojnë në fantazi, dhe ata do të jenë të lumtur me të“, u shpreh artistja.
Paris vazhdoi të kritikojë modelin e filmave biografikë “të zbukuruar” të Hollywood-it në përgjithësi. “Ka shumë pasaktësi dhe shumë gënjeshtra. Kjo nuk më përshtatet mua. Shkoni, shijojeni. Bëni ç’të doni. Më lini jashtë kësaj”, shtoi ajo.
Filmi biografik, që është prodhuar në bashkëpunim me trashëgimtarët e familjes Jackson, është në zhvillim që të paktën që nga viti 2019.
Ai tërhoqi polemika kur revista Puck raportoi se filmi po përballej me rishkrime dhe rixhirime pasi një pjesë e tregimit në aktin e tretë, që kishte të bënte me një nga akuzuesit e Michael Jackson, nuk mund të përdorej për arsye ligjore.
Jaafar Jackson, nipi i Michael Jackson, do të debutojë në film si ylli i pop-it në këtë biografi, ndërsa në kast do të jenë gjithashtu Miles Teller, Nia Long dhe Kat Graham. Michael pritet të dalë më 24 prill 2026.
Top Channel