
Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi, zhvilloi një takim me drejtuesit e institucioneve bankare dhe Shoqatën Shqiptare të Bankave.
Ligji, i cili hyri në fuqi në shkurt të këtij viti, përputh kornizën ligjore shqiptare me standardet më të avancuara të Bashkimit Evropian, duke ofruar për qytetarët shqiptarë të njëjtin nivel mbrojtjeje si qytetarët e BE-së.
Në fjalën e tij, Komisioneri Dervishi theksoi se arsyeja e nisjes së dialogut sektorial me bankat lidhet me faktin se ato janë ndër kontrrolluesit dhe përpunuesit më të mëdhenj të të dhënave personale.
Ai solli në vëmendje disa problematika të konstatuara ndër vite, duke theksuar se mangësitë duhen vlerësuar si mundësi për të ndërmarrë përmirësime të mëtejshme.
Dervishi nënvizoi gjithashtu shqetësimin për kërkesat e herëpashershme të autoriteteve publike për të dhëna personale, të cilat jo rrallë herë dalin përtej fushës së tyre të veprimtarisë.
“Ne si Zyre e Komisionerit nuk duam që raportin me ju ta mbështetim në “frikën”e gjobave të larta, por në partneritet dhe një sjellje besimi reciprok”, tha Komisioneri.
“Ligji i ri është një sfidë, por edhe një mundësi.
Sfidë, sepse kërkon më shumë përpjekje, investim dhe ndryshim në mënyrën e funksionimit të përditshëm.
Mundësi, sepse lejon në ndërtimin e një marrëdhënie më transparente dhe më të qëndrueshme me subjektet e mbrojtjes se të dhënave personale, duke rritur besueshmërinë ndaj sektorit”.
Dervishi garantoi se Zyra e tij do të mbetet e hapur për dialog dhe mbështetje, duke i ftuar bankat të shndërrohen në shembull pozitiv për kulturën e mbrojtjes së të dhënave në Shqipëri, sipas standardeve më të mira ndërkombëtare.
Kryetari i Shoqatës Shqiptare të Bankave, Bledar Shella, u shpreh se: “Shumë banka kanë ndërmarrë masa, kanë investuar në sisteme dhe trajnime, por ky është një proces i vazhdueshëm. Zbatimi i ligjit ka kosto, por natyrisht edhe sjell përfitime të rëndësishme”.
Në reagimet e tyre, drejtuesit e bankave shprehën vlerësim për dialogun e hapur dhe nënvizuan angazhimin e tyre për konsolidimin e bashkëpunimit.
Top Channel