
Tirana College of Technology, institucioni që erdhi si risi në arsimin e lartë shqiptar me ofrimin vetëm të diplomave profesionale, ka kremtuar me një sërë arritjesh rrugëtimin e tij 10 vjeçar.
I themeluar në gusht të 2015-ës, përmes programeve 2-vjeçare dhe tashmë me 4 programe Bachelor në Inxhinieri, ky kolegj ka plotësuar nevojat e ngutshme të biznesit dhe industrisë për profesionistë me aftësi praktike, teknikë të lartë dhe zbatues.
“Ne kishim shkolla të mesme dhe njerëz që mbaronin shkolla të mesme, një pjesë të madhe, ose shkolla profesionale, dhe pastaj kishim universitetet që ofronin një aftësi më të specializuar. Tregu kishte nevojë për një hapësirë diku në mes, për njerëz që nuk janë as me dije të përgjithshme apo të mesme profesionale, por as specialistët e lartë të fushës ose të arsimit universitar”, u shpreh Arbjan Mazniku, Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor.
Administratore e TCT, Diana Biba tha: “Kur krijuam këtë model të ri në realitetin shqiptar, nuk ishte e lehtë, Na bëri të përballemi me jo pak sfida shumëllojshme, të cilat së bashku i kemi kaluar me sukses dhe na kanë bërë të rritemi, duke ofruar sot në dekadën e parë krahas programeve profesionale 2-vjeçare edhe katër programe bachelor, me një natyrë aplikative, të cilët janë gurë të rinj kilometrik të këtij rrugëtimi tonë.”
Kushtrim Shala, kryetar i Këshillit Shqiptar të Teknologjisë dhe Inovacionit u shpreh: “Të 60 kompanitë, anëtare të këtij këshilli janë me sy e me zemër karshi prurjeve të këtij kolegji universitar, në mënyre që të zhvillojmë më tutje këtë partneritet dhe të çojmë përpara e të rrisim eksportet e ekonomisë shqiptare në sektorin e teknologjisë, të kontribuojmë sa më shumë nëpërmjet avancimit të teknologjisë së informacionit sepse epoka e pestë e Revolucionit Industrial do t’i takojë robotizimit.”
Ndërkohë rektori i TCT, Andonaq Londo tha: “Me të vërtetë, sot jemi në një rrugëtim për një ëndërr teknologjike, që ne duhet ta realizojmë, dhe që Tirana College of Technology ka marrë përsipër për ta realizuar.”
Me synimin për t’iu përgjigjur sfidave të reja të shoqërisë, Tirana College of Technology e nis dekadën e dytë me një ofertë të zgjeruar akademike. Krahas tetë diplomave profesionale, TCT do të ofrojë edhe katër diploma në ciklin Bachelor në fushën e inxhinierive.
Top Channel