
Vitet e fundit ndërtimi po luan një rol të rëndësishëm në ecurinë ekonomike të vendit teksa sipërfaqet e lejeve janë shtuar ndjeshëm dhe tregu i pasurive të paluajtshme është zgjeruar, sidomos në kryeqytet.
Ndonëse oferta në treg sa vjen e rritet edhe çmimet kanë shënuar të njëjtën prirje, duke reflektuar shtrenjtimin e kostove të ndërtimit.
Veçanërisht për pagat dhe përdorimin e makinerive, vërehen edhe kostot më të larta për këtë sektor. Sipas të dhënave të INSTAT, Indeksi i Kushtimit në Ndërtim për banesa në tremujorin e dytë të vitit 2025 arriti në 113,5 pikë, me një rritje vjetore prej 1,1%, nga 2,5% që ishte një vit më parë.
Të gjejnë punëtorë por mbi të gjitha edhe t’i paguajnë me paga të kënaqshme është një nga problemet e sektorit të ndërtimit. Ky tregues u rrit me 6,2%. Përtej këtij faktori edhe kostot për makineritë dhe shërbimet e tjera ndihmëse janë rritur me 2,2% dhe 2,3%, ndërsa transporti është shtrenjtuar me 1,4%.
Një rënie e çmimeve është vërejtur vetëm tek materialet me një ulje prej 0,7%, udhëhequr nga materialet elektrike dhe të komunikimit, me 1,8% dhe më pak ato të ndërtimit dhe hidrosanitaret. Duke ruajtur kështu një balancë mbi presionin në kostot totale.
Këta tregues nuk reflektojnë një ulje të dukshme të kostove në ndërtim por vetëm një ecuri të qëndrueshme.
Ndërtimi është dhe një nga sektorët me kontributin më të lartë në rritjen ekonomike. Zhvillime të tilla janë të rëndësishme për të përcaktuar ecurinë e tregut.
Top Channel