“Heqje lirie për ata që vjedhin ujin”, Rama: Do ngrihet Task Forcë, bashkitë s’arritën ta vendosnin vijën e kuqe

03/09/2025 11:54

“Heqje lirie për këdo që vjedh ujin”, ky ishte ultimatumi i kryeministrit Edi Rama gjatë prezantimit të reformës për rrjetin e shpërndarjes dhe prezantimit të Operatorit të Ujit.

Ai kritikoi bashkitë, të cilët sipas kreut të qeverisë nuk arritën të vendosnin vijën e kuqe mes personave që vidhnin dhe paguanin.

“Vija e kuqe që fatkeqësisht bashkitë s’e vendosën asnjëherë mes atij që paguan dhe atij që vjedh ujin, ai që paguan ka të gjithë të drejtën të vendosë kujën pse nuk e merr ujin, ai që e vjedh duhet të penalizohet me heqje lirie siç ndodhi me ata që vjedhin energjinë elektrike. Është treguar një përrallë e gjatë që iu hoq liria atyre që nuk paguan energjinë, iu pre energjia, nuk iu hoq liria.

Një gjë është të mos e paguash dhe një gjë ta vjedhësh. Një gjë është të mos e paguash ujin kur të vjen në rubinet dhe je një klient i regjistruar, një gjë është të fusësh tubin te kanali kryesor i furnizimit dhe të vadisësh me ujë të pijshëm bahçen dhe të furnizosh lavazhin“, tha Rama.

Rama gjithashtu theksoi se do të ngrihet një Task Forcë për personat që abuzojnë me ujin, ashtu siç funksionoi edhe me energjinë elektrike.

“Siç krijuam Task Forcën e energjisë, do të krijojmë Task Forcën e ujit në nivel kombëtar dhe do të punojmë shumë fort për të respektuar qytetarët që paguajnë rregullisht ujin dhe që meritojnë një shërbim më të mirë.

Gjithashtu do të krijohet Operatori Kombëtar i Trajtimit të mbetjeve. Janë 4 muaj për të intensifikuar punën dhe për t’i dhënë jetë operatorit të ujit në janar të vitit që po vjen me shpejtësi”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama: Mirëmëngjesi dhe mire se keni ardhur këtu! Sot duam të ndajmë me publikun një hap të rëndësishëm që do të hedhim se shpejti lidhur me krijimin e Operatorit Kombëtar të Shpërndarjes së Ujit.

Kemi pasur një trashëgimi shumë dramatike në sektorin e ujit, i cili është një sektor që natyrisht kërkon investime të mëdha dhe kërkon administrim të përgjegjshëm. Kemi bërë në këto vite investime të mëdha dhe kemi rritur përgjegjësinë e administrimit, por tanimë jemi të bindur duke parë dhe ecurinë e një reforme që u ndërmor para disa vitesh për përfshirjen e qeverisë në aksionet e kompanive, e ndërmarrjeve të ujësjellësit që përfundimisht nuk kemi më asnjë arsye të humbasim kohë të mëtejshme dhe nuk kemi më asnjë arsye të besojmë në ndonjë zgjidhje tjetër përveç një zgjidhje që për hir të së vërtetës na është sugjeruar edhe shumë vite më parë nga disa prej ekspertëve dhe eksperiencave që kemi analizuar në vende të suksesshme.

Fragmentimi në emër të decentralizimit i sistemit të shpërndarjes së ujit në 58 ndërmarrje ishte një katastrofë e vërtete dhe borxhet e larta, paaftësia në menaxhim e lidhur shumë dhe me politizimin ekstrem të burimeve njerëzorë në këto ndërmarrje si dhe mungesa e ekspertizës e shoqëruar me mungesë të investimeve në mirëmbajtje, sollën situata shumë të pajustifikueshme.

Ndërkohë që paralelisht ne nga ana jonë kemi bërë investime masive, nga ana e qeverisë flas, qendrore, dhe po të shohim hartën sot nga 4 zona që furnizoheshin me ujë 24 orë në 2013 dhe me humbje në rrjet që shkonin afro 70%, 65, por afro 70% kemi një panoramë tërësisht ndrydhe, por ama është tërësisht ndrysh në raport me atë që ishte. Nuk është tërësisht ndryshe në raport me sfidën që kemi, aq më tepër në kushtet kur ne duam të shkëlqejmë në turizëm dhe kur volumi i kërkesës për ujë posaçërisht në sezonin e pikut turistik rritet në mënyrë marramendëse. Ndërkohë që kapaciteti për furnizim është tërësisht i pamjaftueshme dhe niveli i papërgjegjshmërisë dhe i paaftësisë në pushtetin vendor në pika të caktuara është i frikshëm.

Po ju sjell vetëm shembullin e Vlorës, e cila e nisi sezonin turistik të këtij viti me një situatë të papranueshme dhe të pajustifikueshme të alarmit të zonave të tëra të bashkisë Vlorë për furnizim me ujë. Nuk është se ne bëmë ndonjë investim në ato ditë, por thjeshtë dhe vetëm komandimi me një mision të posaçëm i Flaursit nga Tirana së bashku me një ekip të vogël nga Tirana dhe me vëmendjen e posaçme nga Ministria këtu dhe posaçërisht nga ministrja për ta vënë në vijë me ato që gjendeshin administrimin solli një përmirësim të jashtëzakonshëm të asaj situatë dhe të paktën hoqi ankthin dhe hoqi pasigurinë dhe hoqi ndjesinë e emergjencës dhe alarmin se s’kemi ujë. Tani si mund të ndodhë kjo? Dhe raporti i bërë nga ai ekip për situatën e administrimit të ujësjellësit të Vlorës është i frikshëm. Të administrimit. Nivel papërgjegjshmërie i frikshëm dhe solla rastin konkret duke qenë se flasim për një nga pikat më atraktive dhe një nga pikat më të ngarkuara si rezultat i turizmit, por ka dhe plot raste të tjera dhe pika të tjera.

Borxhet e akumuluara nga këto ndërmarrje të administruara me papërgjegjshmëri ekstreme në vitin 2020 arritën në 13.6 miliard. Harxho, shpërdoro, dridh zinxhirin dhe ngarko kompaninë e shpërndarjes së energjisë me borxhe.

Në 2021 ne ndërmorëm hapin e parë duke hyrë në procesin e bashkimit të kompanive dhe faktikisht nga 58 kompani, shoqëri, ndërmarrje ujësjellës kanalizimesh, 58 çeta, ne krijuam 15 shoqëri rajonale dhe natyrisht që qëllimi ishte pikërisht të përmirësohej performanca dhe të rritej përgjegjshmëria në administrim dhe sot kemi rezultate domethënëse. Ministrja besoj do t’i japi në mënyrë më konkrete, të cilat na tregojnë një gjë, që përgjigja ndaj kësaj sfide është bashkimi. Nuk është copëzimi. Dhe njerëzit nuk pinë decentralizim në rubinet, pinë ujë, duan ujë. Dhe decentralizmi nuk është fragmentim dhe shkatërrim, por është përgjegjshmëri dhe shërbim.

Sot kemi 9 shoqëri rajonale nga 15 që nuk krijojnë më detyrime ndaj OSHEE. Është një hap i jashtëzakonshëm pa diskutim. Patjetër që ka përmirësim të eficences, patjetër shumë gjëra që thashë do t’i përmendi ministrja, por ka një pikë ku duhet të ndalemi dhe ku është thelbi i reformës. Uji në qiell është diçka tjetër dhe në rubinet është diçka tjetër se në momenti kur hyn në sistem kthehet nga prodhimi i natyrës në një prodhim të njeriut. Është mall që grumbullohet, që shpërndahet, që shitet dhe që blihet dhe është një mall jetik dhe prodhimi i ujit kërkon operim kombëtar.

Kështu që për këtë arsye nisim këtë fazë të dytë të reformës, ndërkohë që po ju them një gjë; nga faza e parë e reformës janë lidhur në rrjet 100 mijë përdorues të rinj dhe janë prerë një numër i konsiderueshëm lidhjesh të paligjshme, por përsa i përket reformës, jemi shumë të qartë se çfarë do të bëjmë nga prodhimi tek shpërndarja, furnizimi, njësoj siç bëjmë me energjinë, e njëjta gjë komplet, ama nga ana tjetër, njësoj siç kemi bërë me energjinë, do të ndërhyjmë me një plan masash për të ndaluar abuzimet.

Ndryshe nga energjia, këtu nuk jemi në kushtet që kemi qytetarët në shumicën e tyre dërrmuese që abuzojnë. Këtu jemi në kushtet që kemi abuzues në radhë të parë për qëllime fitimi, kemi abuzues me lavazhe nëpër lagje; kemi abuzues me ujë që derdhet rrugëve kombëtare në pika të ndryshme po ta shikoni vazhdimisht; kemi abuzues me lidhje të paligjshme nën tokë, që do të jenë target i planit të masave, në mënyrë që shumica dërrmuese e qytetarëve që nuk abuzojnë dhe që paguajnë ujin, të marrin shërbim të drejtë dhe patjetër, që kjo është dhe koha për të filluar dhe punën hap pas hapi me planin e heqjes të depozitave që janë kthyer në pesha të jashtëzakonshme mbi pallate, të ndërtuara ku e ku më parë dhe që largqoftë mund të bëhen dhe burim katastrofash, por hap pas hapi, natyrisht dhe duke u shpjeguar njerëzve që heqja e depozitave përmirëson furnizimin.

Kjo është pak a shumë panorama. Natyrisht që ne jemi shumë të përkushtuar dhe kemi shumë pika të kuqe për tu kthyer në pika jeshile përsa i përket investimit dhe përfshirjes së çdo sektori në botën e re të teknologjisë, edhe tek uji është e njëjta dhe në fund fare dua të them që hyrja në Bashkimin Europian, kërkon që ne të arrijmë në 2030 një krahasueshmëri të arsyeshme në furnizimin me ujë të popullsisë përsa i përket standardeve të Bashkimit Europian. Është plotësisht e mundshme, por kërkon reformë, kërkon masa, kërkon përgjegjshmëri në administrim.

Fatmirësisht, siç tregoi rasti i Vlorës, ne kemi burime njerëzore cilësore dhe njerëz të ditur, njerëz të zotë, njerëz të aftë këtu në qendër, që natyrisht, së bashku me njerëz të ditur, të zotë e të aftë në pika të ndryshme të territoreve, territori aktual faktikisht vjen nga eksperienca e të qenit drejtor në një territor në zonën e veriut, do të jenë në gjendje të krijojnë bërthamën e qëndrueshme dhe të shëndetshme të Operatorit Kombëtar të Prodhimit të Ujit dhe pastaj me radhë, të shpërndarjes dhe të furnizimit.

* * *

Kryeministri Edi Rama: Për ta mbyllur, dua të përmbledh 3 gjëra; e para, që vlen besoj për publikun që na ndjek, që çfarë po bëjmë faktikisht me këtë fazë të dytë të reformës, është të garantojmë me shërbimin me ujë, suksesin që garantuam në shërbimin me energji elektrike dhe siç sot furnizimi me energji elektrike nuk është më një problem, nuk është më pasiguri, nuk është më ankth dhe alarm, ashtu të jetë në Shqipërinë 2030 furnizimi me ujë.

Dhe njësoj siç bëmë me energjinë, ka ardhur koha tani që ne të bëjmë me këtë operator kombëtar, i cili faktikisht do të jetë sinergjia e shoqërive, e 15 shoqërive ekzistuese dhe me organet e tjera ligj zbatuese, vendosjen e vijës së kuqe që faktikisht bashkitë nuk e vendosën asnjëherë mes atij që paguan dhe atij që vjedh ujin.

Ai që paguan ujin ka gjithë të drejtën të vërë kujën pse nuk e merr ujin, ndërsa ai që vjedh ujin, duhet të penalizohet me heqje lirie, siç ndodhi me ata që vidhnin energjinë elektrike.

Është treguar një përrallë shumë e gjatë që pastaj u kthye në një të vërtetë për shumëkënd, që iu hoq liria atyre që nuk paguan energji elektrike. Jo, kjo nuk është e vërtetë. Asnjëherë. Atyre që nuk paguajnë energji, nuk iu hoq liria, por iu pre energjia. Se një gjë është të mos e paguash, një gjë është ta vjedhësh; një gjë është të mos paguash kur ti ndez dritat këtu, një gjë është të marrësh dritat nga rruga; një gjë është të mos e paguash ujin kur të vjen në rubinet dhe je një klient i regjistruar dhe një gjë është të fusësh tubin tek kanali kryesor i furnizimit dhe të vadisësh me ujë të pijshëm bahçen apo të furnizosh me ujë të pijshëm lavazhin. Këto janë komplet gjëra të ndryshme dhe në këtë pikë siç krijuam Task Forcën e energjisë, do të krijojmë Task Forcën e ujit në nivel kombëtar dhe do të punojmë shumë fort që të respektojmë shumicën e popullit që paguan rregullisht ujin dhe që meriton një shërbim më të mirë. Ky është thelbi. Nuk mundet që shumica të paguajë dhe për pakicën dhe të vuajë pse një pakicë do të marrë qyl një mall që ka koston e vet.

Kjo është e para; e dyta lidhet me kapacitetet njerëzore. Një nga problemet themelore të furnizimit me ujë, është niveli i ulët i burimeve njerëzore të ndërmarrjeve dhe unë jam i bindur që drejtorët e shoqërive këtu e kanë parë me sytë e tyre se me sa pak forca, realisht të përgatitura dhe teknikisht bëjnë punën dhe se sa forca parazite ka nëpër ndërmarrje që janë aty si rezultat i krushqisë, i politikës, i tarafit, i fqinjësisë së mirë në rrugën e fshatit.

Operatori Kombëtar do të ketë kapacitetin që të jetë i distancuar nga kjo, siç u distancua totalisht nga politika OSHEE-ja. Nuk bën vaki që drejtuesit e OSHEE-së t’i vendosë partia, nuk bën vaki që drejtuesit e OSHEE-së të lëvizin  lart e poshtë se do partia, është epokë e mbyllur. OSHEE-ja është një ndërmarrje, OSSH-ja si quhet dhe FSHU-ja etj, etj. OSHEE-ja është një ndërmarrje, një “holding” që funksionin tanimë me rregullat e një korporate që ka rezultate dhe energjia nuk është një mall që dikujt iu shtet, dikujt ia fal, dikujt ia jep për bamirësi e kështu me radhë.

Të njëjtën gjë do bëjmë edhe me ujin dhe siç kanë fituar shumica dërrmuese e qytetarëve, e konsumatorëve nga transformimi  i OSHEE-së nga një bandë në një korporatë do të fitojnë shumica e qytetarëve dhe e popullsisë nga transformimi i këtyre shoqërive në një Korporatë Shtetërore Publike të Ujit dhe natyrisht edhe në këtë sektor ne do të përpiqemi, siç e tha ministrja të krijojmë partneritete të cilat do të na ndihmojnë të rrisim më tej cilësinë e punës, por më e rëndësishmja, siç kemi sot në OSHEE kapacitet teknike dhe në nivelin e parë të specialistëve kemi një edukim në vazhdim, kemi trajnime, kemi një punë të vazhdueshme që po krijon hap pas hapi kompaktësi dhe vlerë të kapitalit njerëzor, kështu do të bëjmë edhe me ujin.

Siç i kemi dhënë mundësi teknikëve dhe inxhiniereve të rinj që kanë mbaruar shkollën të vijnë dhe të konkurrojnë dhe të hyjnë në punë, pavarësisht se janë nga familje të majta, nga familje të djathta apo janë vetë tërësisht të pa interesuar për politikë, sepse politika jonë është të bëjmë shërbimin më të mirë për njerëzit dhe jo të përdorim pushtetin për të kthyer kompanitë shtetërore në vende qokash. Do të bëjmë të njëjtën gjë edhe me Operatorin e Ujit.

Dhe e fundit kam një fjalë që lidhet me atë që tha ministrja për Tragjasin, edhe për ndonjë rast tjetër. Të gjithë duhet ta kuptojnë që burimet ujore të Republikës së Shqipërisë nuk janë burimet e atij që i ka më afër, janë burime ujore të Republikës së Shqipërisë dhe në Republikën e Shqipërisë nuk ka njerëz me fat që e kanë ujin afër dhe njerëz pa fat që e kanë ujin te burimi larg.

Ndërkohë që, siç ua kam shpjeguar shumë banorëve të Tragjasit, siç ua kam shpjeguar edhe të tjerëve që më shkruajnë edhe komunikojnë me mua, as nuk diskutohet fare që  nuk ekziston në asnjë botë tjetër, përveç se në botën e konspiracioneve dhe fantazive politike mediatike apo rreth tryezës duke pirë raki që qeveria e Republikës së Shqipërisë, që ministria apo autoritetet përgjegjëse t’i marrin ujin disave për t’ia dhënë disave, kjo nuk ekziston. Dhe kam një shembull për këtë që duhet ta kuptojnë të gjithë ata të cilët ngrihen kur ka nevojë që një burim uji të futet në shërbim të popullit shqiptar.

Kjo qeveri, ka ndaluar përfundimisht HEC-et prej kohësh dhe ka bërë një luftë të madhe me leje të dhëna për HEC-e, ato lejet, ka qenë një fjalë e jashtëzakonshme “mini superfuqi energjetike”, mini super fuqi, delir komplet edhe mini edhe super, por ajo mini super fuqia ishte faktikisht krijimi i një rrjeti gjakpirësish, njësoj si shushunjat që sulmojnë trupin për t’i thithur ujin bujqve, fermerëve, zonave të tëra dhe për t’ua tharë shtratin e lumit që disa të prodhonin energji.

Nuk ishte e nevojshme t’i hynte Shqipëria asaj aventure, të asaj mini super fuqisë që është një nga dëmet më të mëdha që i është bërë këtij vendi, por ndodhi sepse vullneti i popullit të çon aty ku pastaj të çojnë ata që udhëheqin, e prandaj ka dhe shumë rëndësi vota, por kjo është temë tjetër.

Kështu që ne e kemi mbyllur atë kapitull prej shumë kohësh dhe kemi bërë luftëra të mëdha me ata që kishin leje dhe që dilnin rrugëve dhe shisnin leje për HEC-e. Kështu që pse e kemi bërë? E kemi bërë për të mbrojtur burimet ujore të Republikës së Shqipërisë dhe burimet ujore të popullit shqiptar.

Nuk e kemi bërë për të ndaluar sipërmarrjen. Dhe ata që çohen dhe flasin, janë dhe ca që flasin anglisht për Vjosën dhe për burimet ujore të Vjosës dhe si ne po thajmë një burim të Shushicës për të shuar etjen  e popullit tonë dhe sesi ne po thajmë një degë të lumit për të furnizuar me ujë të pijshëm banorët e Himarës, duhet ta kuptojnë, ata s’kanë për ta kuptuar asnjëherë se ata jetojnë me këtë punë, marrin fonde për këtë punë, por duhet ta dinë që prioriteti i prioriteteve është furnizimi me ujë i popullsisë. Natyrisht në ekuilibrin më të mirë të mundshëm me natyrën dhe as në njërin rast të Shushicës, as në rastin e Tragjasit dhe as në asnjë rast tjetër nuk bëhen fjalë për investime të papërgjegjshme për të tharë. Thaj këtej që të japësh andej. Absolutisht! Megjithatë duke respektuar siç tha ministrja njerëzit atje, 9 muaj, ditë për ditë kemi bërë të gjithë raportin e monitorimit të burimit.

Shifrat janë kaq kokëforta dhe kaq kuptimplota sa nuk ka më asnjë diskutim që projekti ishte i drejtë, se ne nuk bëjmë projekte, projektet i bëjnë ekspertët, jo se ishte një projekt që financohej nga qeveria por sepse ishte një projekt i bërë mbi monitorimit e burimit, nuk ishte një projekt i bërë në hava. Duhet ta kuptojnë shumë mirë njerëzit dhe sidomos ata që janë në zonat më të vështira, që ata janë drita e syve të qeverisë. Nuk ka qeveria dot kurrë qëllime të errëta ndaj tyre dhe nuk bën vaki që qeveria tua u heqë njerëzve të zakonshëm për tua u dhënë siç thonë jo një oligarku, jo dy oligarkëve, që oligarkë në Shqipëri nuk ka por ka mbetur dhe kjo “oligark në Shqipëri”. Nuk bën vaki kjo!

Kështu që sot besoj që dhamë një informacion shterues për ata që duam të bëjnë më ujin. Do të fokusohemi tani tek faza tjetër e reformës. Ka qenë e nevojshme për hir të së vërtetës të kalonin këto faza, nuk mund të bëhej gjëja me një kolpo. Do të fokusohemi tek reforma tjetër që do të krijojmë operatori kombëtar të trajtimit të mbetjeve. Bashkitë do t’i mbledhin dhe operatori kombëtar do t’i trajtojë që të mos kemi më situata qesharake apo katastrofike për shkak të mungesës së kapacitetit në menaxhim. Dhe siç jam përpjekur ta them, do të mundohemi të bëjmë më të mirën edhe në aspektin tërësor të natyrës, së mjedisit dhe të rritjes së përmasës së gjelbër dhe të territoreve të banuara, jo vetëm të zonave të mbrojtura dhe të territoreve të pabanuara sepse ajo që mbase duhet shpjeguar më shumë që njerëzit ta kenë të qartë, është që kur bëhet një investim për furnizimin me ujë, kur bëhet një investim për rritjen e kapaciteteve prodhuese, ai investim është në të mirën edhe të atyre që bëjnë fjalë.

Sot që flasim faktikisht po ndërtohet ujësjellësi i Tragjasit. Tragjasi s’kishte ujë. S’kishte ujë dhe bërtisnin për burimin a thua se vajti një kuçedër që u thante burimin ku e pinin ujin nga burimi. Po ndërkohë ama është shumë e rëndësishme që të gjithë ta kuptojnë që në këtë proces të furnizimit, të rritjes së prodhimit të ujit, të trajtimit të mbetjeve, të rritjes së përmasës së gjelbër në hapësirat publike brenda qyteteve, kjo është ana e mirë. Ka dhe një anë më të errët “të Hënës”, që ka të bëjë me ata që i bëhen pengese këtyre proceseve duke vjedhur ujin, duke hedhur plehrat në rrugë. Shqipo, se nuk e bën një turist i huaj këtë, e bëjnë shqipot që lëvizin me makinë. Shqipot e Shqipërisë, shqipot e Kosovës, shqipot e Maqedonisë, shqipet që ndalojnë në anë të autostradës, bëjë fotografi edhe marrin plehrat nga makina dhe i hedhin aty. Dhe shkoni shikojeni se i kemi të fotografuara, edhe pikë panoramike për të bërë selfie “sa e mirë je o Shqipëria ime” dhe grumbullim plehrash të hedhura po aty.

Edhe fotografitë me birrë aty me perëndimin e diellit dhe shishet e birrës të hedhura në tokë.
“Mirupafshim Shqipëria ime. Shihemi verën tjetër”.

Këto janë situata që kanë nevojë për solidaritet dhe kanë nevojë për masa drastike nga ana e qeverisë, por dhe për sensibilizim dhe për rritje të kontributit të njerëzve.

Ju falënderojmë shumë dhe shpresoj që kemi qenë të qartë në çfarë prezantuam sot dhe tani siç e tha dhe ministrja, 4 muaj janë për intensifikuar punën dhe për t’i dhënë jetë operatorit të prodhimit të ujit në janar të vitit që po vjen me shpejtësi.

Top Channel