
Forumi i njohur seksist “Phica”, i cili ka qenë në qendër të polemikave për publikimin e fotove të politikaneve dhe grave të tjera të njohura me komente seksiste, ka tashmë një emër pas tij.
Sipas një investigimi të gazetës Domani, administratori i faqes është Vittorio Vitiello, 45 vjeç, i lindur në Pompei dhe banues në Firence.
Zbulimi vjen pas një ankese të bërë nga kryebashkiakja e Firences, Sara Funaro, fotot e së cilës, bashkë me ato të politikaneve të tjera femra, u publikuan në “Phica.eu” me përmbajtje vulgare. Vitiello, i cili zotëron kompaninë Lupotto Srl (që operon në fushën e fushatave reklamuese me influencues), është marrë në pyetje nga autoritetet italiane.
Akuza për zhvatje dhe shërbime “me pagesë”
Sipas një analize të ekspertit të inteligjencës kibernetike Alex Orlowsky, e shqyrtuar nga Domani, Vitiello fshihej pas pseudonimeve “Bossmiao” dhe “Phicamaster”, përmes të cilave u kërkonte viktimave pagesa në këmbim të heqjes së postimeve dhe fotove. Çmimet varionin nga 250 deri në 1,000 euro, të ofruara si “paketa mbrojtjeje”, duke përfshirë heqjen e përmbajtjeve, bllokimin e temave dhe dërgimin e provave të heqjes nga interneti.
Në një rast të publikuar nga mediat, administratori kishte kërkuar fillimisht 700 euro për 30 ditë “mbrojtje”, duke e krahasuar shërbimin e tij me një piceri që ofron dërgesë në shtëpi “me tarifë shtesë”. Më pas, pas negociatave, çmimi u ul në 300 euro, me mundësi pagese edhe në kriptomonedha.
Faqja e bllokuar, por ende e hapur për pornografi
Më 28 gusht, faqja “Phica.eu” hoqi të gjithë diskutimet, duke lënë pas vetëm dritare me përmbajtje pornografike, të aksesueshme për këdo, madje edhe për të miturit. Në faqen kryesore u shfaq një mesazh sipas të cilit “të gjitha diskutimet janë hequr dhe janë në dispozicion të autoriteteve në rast ankese”.
Pavarësisht se në një postim të datës 2 shtator administratori mohoi akuzat për zhvatje, duke pretenduar se bëhej fjalë për “shërbime opsionale” dhe jo për shfrytëzim, autoritetet italiane po hetojnë rastin për shkelje të rënda, mes tyre edhe akuzat për zhvatje dhe përhapje të përmbajtjes seksiste.
Hetimet pritet të thellohen në ditët në vijim, ndërsa rasti ka ngritur debate të forta mbi abuzimin online, mbrojtjen e grave dhe mungesën e filtrave ndaj faqeve pornografike të arritshme për të miturit.
Top Channel