Premier League thyen çdo rekord merkatoje/ Mbi 3 miliardë paund shpenzime në një verë, Liverpool dhe City në krye të garës

02/09/2025 13:46

Klubet e Premier League kanë thyer çdo rekord historik në shpenzimet e merkatos së verës, duke kaluar shifrën 3 miliardë paund, shumë më e lartë se rekordi i mëparshëm prej 2.4 miliardë paund në vitin 2023, sipas të dhënave të Transfermarkt.

Rekordi kombëtar u vendos nga Liverpool, që pagoi 125 milionë paund për Alexander Isak, ndërsa më herët kampionët e Anglisë kishin blerë Florian Wirtz për 100 milionë paund, një marrëveshje që me bonuset mund të shkojë deri në 116 milionë. Vetëm këto dy lëvizje e çuan shifrën e shpenzimeve të klubit në rreth 400 milionë paund.

Çfarë e nxiti këtë shpërthim?

Sipas një analize të The Times, bëhet fjalë për një “stuhi perfekte” faktorësh që kanë rritur ndjeshëm fuqinë financiare të klubeve angleze:

Garancitë nga të ardhurat televizive – marrëveshja e re vendase për katër vitet e ardhshme, që siguron stabilitet financiar.

Dominimi në Europë – gjashtë klube angleze janë në Champions League, duke gjeneruar 50-100 milionë £ secila.

Fitime nga Club World Cup – Manchester City dhe Chelsea morën respektivisht 40 dhe 80 milionë £.

Marrëveshje gjigante komerciale – si kontrata e City me Puma (1 miliard £/10 vjet) dhe ajo e Liverpool me Adidas (60 milionë £ në vit + bonuse).

Më pak kufizime nga rregullat e PSR krahasuar me verën e kaluar, kur shumë klube u penalizuan.

Kieran Maguire, ekspert i financave të futbollit në Universitetin e Liverpoolit, theksoi se një pjesë e madhe e shpenzimeve është bërë mes vetë klubeve angleze, duke krijuar një efekt zinxhir në merkato.

Po ashtu, Liverpool siguroi të ardhura të mëdha nga shitjet e Luis Diaz (65 milionë £) dhe Darwin Nunez (46 milionë £), që i lejuan të investojnë agresivisht pa rrezikuar penalitete financiare.

Top Channel