Paralajmërim i fortë nga Parisi, Ministria e Shëndetësisë urdhëron ngritjen e qendrave mjekësore për të plagosurit nga fronti

02/09/2025 19:12

Një qarkore e Ministrisë Franceze të Shëndetësisë ka urdhëruar agjencitë rajonale të shëndetit që të përgatiten për krijimin e objekteve mjekësore të reja, në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes, për të përballuar një skenar të mundshëm të ardhjes masive të ushtarëve të plagosur në Evropë.

Sipas të përjavshmes Le Canard Enchainé, që ka siguruar dhe publikuar dokumentin, plani parashikon ngritjen e qendrave rajonale të klasifikimit për të plagosurit. Këto qendra do të shërbejnë për pritjen e ushtarëve që kthehen nga fronti, dërgimin e tyre në spitalet më të përshtatshme civile dhe riatdhesimin në vendet e origjinës pas trajtimit.

Në nivel kombëtar, shteti francez, në koordinim me NATO-n dhe Bashkimin Evropian, është i përgatitur të përballojë një fluks prej 100 pacientësh në ditë për 60 ditë rresht, me kulme aktiviteti që mund të arrijnë deri në 250 pacientë në ditë për tre ditë radhazi.

Ministrja e Shëndetësisë, Catherine Vautrin, e justifikoi këtë hap si pjesë të domosdoshmërisë për të avancuar përgatitjen e “stoqeve strategjike”, njësoj siç bëhet për epidemitë.

Ky zhvillim ka ngjallur debat në Francë, duke rritur pyetjet mbi shkallën e përfshirjes së vendit dhe Evropës në konfliktet aktuale dhe mbi mundësinë e një përshkallëzimi të ri ushtarak në kontinent.

Top Channel