
Emilio Fede, një nga figurat më simbolike të televizionit italian, ndërroi jetë sot në moshën 94-vjeçare.
Vajza e tij, Sveva, e konfirmoi lajmin për Corriere della Sera.
Gjendja e Fedes ishte përkeqësuar ditët e fundit. Gazetari kishte qenë i shtruar në spital për disa kohë në Rezidencën San Felice në Segrate, pranë Milanos.
Fede ishte një nga figurat më të njohura të televizionit italian. Karrierën e nisi në vitet ’60 në RAI si gazetar lufte, për të vijuar më pas si drejtor i edicionit informativ TG1. Në vitet ’90 ai iu bashkua grupit mediatik Fininvest, ku Silvio Berlusconi e vendosi në krye të TG4.
Karriera e tij pësoi një ndërprerje të menjëhershme në vitin 2012, kur u largua nga Mediaset pas përfshirjes në çështjen e njohur si “Ruby”.
Periudha e fundit e jetës së tij u shënua thellësisht edhe nga humbja e bashkëshortes së tij, Diana De Feo, gazetare dhe më pas deputete e Forza Italia. Humbja e Dianës ishte, siç e përshkroi vetë ai, “dhimbja më e madhe” e jetës së tij. Ata u martuan në vitin 1963 dhe qëndruan bashkë për gati gjashtë dekada. Diana ndërroi jetë në qershor të vitit 2021.
Top Channel