
Një 32-vjeçar me shtetësi suedeze u sulmua më 31 gusht në Manastir të Maqedonisë së Veriut, kur disa të rinj iu afruan dhe tentuan t’i hiqnin me forcë bluzën që kishte veshur.
Sipas denoncimit të bërë në polici, bluza kishte simbole që dyshohet se i përkisnin Shqipërisë, çka besohet të ketë qenë edhe arsyeja e sulmit.
Duke folur për incidentin, gazetari nga Maqedonia e Veriut, Naser Pajaziti, thotë se grupi i tifozëve “Çkembari” nuk u mjaftua me aktin e turpshëm të dhunës ndaj një qytetari të pafajshëm shqiptar me shtetësi suedeze, të cilit ia hoqën bluzën vetëm pse mbante shqiponjën shqiptare, por tani ka dalë edhe me deklarata skandaloze duke fyer hapur flamurin tonë kombëtar dhe duke nxitur urrejtje ndëretnike.
“Ky nuk është sport, nuk është tifozllëk – është huliganizëm i pastër dhe provokim i rrezikshëm që cenon bashkëjetesën dhe paqen në vend. Flamuri shqiptar nuk është provokim, por simbol i një kombi të tërë, dhe askush nuk ka të drejtë ta përdhosë apo ta përdorë për të arsyetuar dhunë e urrejtje.
Organet përkatëse duhet të veprojnë menjëherë, Prokuroria të hapë procedura për nxitje të urrejtjes, MPB të identifikojë autorët e sulmit dhe Komisioni për Marrëdhënie Ndëretnike të marrë qëndrim të qartë publik“, thotë gazetari.
Heshtja është bashkëfajësi, vijon ai me reagimin e tij.
“Nëse nuk ka llogaridhënie, huliganizmi do të marrë hov dhe dhuna do të përsëritet. Flamuri ynë është i shenjtë dhe kushdo që e fyen duhet të përgjigjet para drejtësisë”.
Top Channel