Sherri masiv në lokal zbuloi shkeljet e pronarit në Korçë/ Policia zbardh dinamikën e ngjarjes, bien në pranga 10 persona

01/09/2025 12:28

Sherri masiv i ndodhur në një lokal mbrëmjen e së dielës zbuloi shkeljet e pronarit të biznesit në Korçë.

Pronari i lokalit u vu nën hetim pasi kishte punonjës të paregjistruar në organet kompetente.

“Në vijim të veprimeve për rastin u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për pronarin e lokalit ku ndodhi konflikti, shtetasin R. I., 45 vjeç, banues në Korçë, për veprën penale “Punësimi i paligjshëm”, pasi nga verifikimet rezultoi se kishte punonjës të paregjistruar në organet kompetente”, sipas policisë.

Në njoftimin zyrtar policia thekson se mbrëmjen e djeshme, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në lagjen nr.1, Korçë, në ambientet e një lokali, po ndodhte një konflikt, shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë shkuan në vendngjarje, për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit.

Në pranga ranë Dritan Pino, 54 vjeç, banues në Korçë, për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, “Plagosja e rëndë me dashje”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Shkatërrimi i pronës”, “Deklarimi i rremë para oficerëve të policisë gjyqësore”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”;

-Petriko Ropi, 28 vjeç, Ilir Shukulli, 51 vjeç, Rafail Kocaqi, 21 vjeç, Salvi Asllan, 21 vjeç, Mahal Zhidro, 31 vjeç, Serxhio Mema, 25 vjeç, Gersi Dervishi, 37 vjeç, Sotiraq Shkurti, 31 vjeç, dhe Kristi Lamçe 29 vjeç, të gjithë banues në Korçë, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Shkatërrimi i pronës”, “Deklarimi i rremë para oficerëve të policisë gjyqësore” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi E. K., 38 vjeç, banues në Korçë, i dyshuar i përfshirë në konflikt.

Këta shtetas janë konfliktuar fizikisht dhe me sende të forta me njëri-tjetrin, duke prishur qetësinë publike dhe duke shkaktuar dëme materiale në lokal. Ata kanë dhënë deklarata të rreme përpara punonjësve të Policisë.

Top Channel