
Ish-kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Rudy Giuliani u plagos në një aksident automobilistik në New Hampshire gjatë fundjavës, por është në fazë rikuperimi, sipas shefit të tij të sigurisë dhe Policisë Shtetërore të New Hampshire, të cilët dhanë deklarata të dielën.
Automjeti i Giulianit u godit nga mbrapa “me shpejtësi të lartë” të shtunën në mbrëmje, tha Michael Ragusa, shefi i sigurisë së Giulianit, në një deklaratë në platformën X.
Giuliani, i cili ka shërbyer edhe si avokat personal i ish-presidentit Donald Trump, u transportua në një spital aty pranë, ku u diagnostikua me frakturë të vertebrës torakale, disa prerje dhe mavijosje, si dhe dëmtime në krahun e majtë dhe këmbën e poshtme.
Pak para aksidentit, Ragusa tha se Giuliani ishte ndalur nga një grua që ishte viktimë e një “incidenti dhune në familje” dhe “i dha menjëherë ndihmë dhe kontaktoi 911.” Ai qëndroi në vendngjarje deri sa mbërritën oficerët, sipas CNN.
Policia Shtetërore e New Hampshire deklaroi se po hetonte një rast dhune në familje kur automjeti i Giulianit u përplas nga një tjetër. Tre persona, përfshirë Giulianin, u dërguan në spital me “lëndime që nuk rrezikonin jetën”, sipas policisë.
Në një deklaratë për CNN, Ragusa tha se Giuliani ishte “me humor të mirë” dhe “plotësisht i ndërgjegjshëm dhe i vetëdijshëm.” Kur u pyet nëse dyshonte se dikush kishte shënjestruar Giulianin, Ragusa tha: “Ky ishte një rast i thjeshtë i të qenurit në vendin e gabuar në kohën e gabuar.”
Djali i Giulianit, Andrew, e komentoi incidentin në një postim në X të dielën pasdite:
“Faleminderit të gjithëve që janë interesuar pas lajmit për babanë tim. Lutjet tuaja kanë shumë rëndësi për ne. Si djalë, mund t’ju them që jam i nderuar të kem një baba që e quaj njeriun më të fortë që kam njohur ndonjëherë!”
Giuliani, një aleat i vjetër i Trump-it që shërbeu si kryetar i Bashkisë së Nju Jorkut gjatë 11 Shtatorit dhe që shpesh quhej “kryebashkiaku i Amerikës” në atë kohë, ka përballuar një sërë problemesh ligjore dhe financiare që pas zgjedhjeve të vitit 2020.
Ai është deklaruar i pafajshëm për akuzat penale shtetërore ndaj tij, në lidhje me përpjekjet për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve në Georgia dhe Arizona. Dy punonjëse të mëparshme të zgjedhjeve në Georgia, Ruby Freeman dhe Shaye Moss, fituan një vendim për shpifje prej 148 milionë dollarësh kundër tij, për akuzat e rreme që kishte bërë ndaj tyre pas zgjedhjeve të vitit 2020.
Në janar, Giuliani arriti një marrëveshje që i lejonte të mbante shtëpinë dhe pjesën më të madhe të pasurisë së tij. Me një pasuri neto të vlerësuar rreth 10 milionë dollarë, përfshirë pronat e paluajtshme, Freeman dhe Moss nuk pritej të rimerrnin kurrë shumën e plotë prej 150 milionë dollarësh nga Giuliani.
Giuliani vazhdon të ketë mbështetje nga Trump, i cili më 22 gusht e përshkroi atë si “kryetarin më të madh në historinë e Nju Jorkut,” gjatë shpalljes se Andrew Giuliani do të ishte Drejtor Ekzekutiv i Task Forcës së Shtëpisë së Bardhë për Kupën e Botës FIFA 2026.
“Thuaji babait tënd që të gjithë e duam,” i tha Trump Andrew-t, duke folur nga zyra e tij në Shtëpinë Ovale.
Trump e emëroi Rudy Giulianin brenda Departamentit të Sigurisë Kombëtare në qershor.
Top Channel