
Për këtë vit shkollor është miratuar një udhëzim i ri për ndalimin e përdorimit të telefonave në mjediset arsimore, duke shfuqizuar udhëzimin e vitit 2018 të ish-ministres së arsimit Lindita Nikollës, që shkonte deri në depozitimin e telefonave të sekuestruar në Polici të Shtetit.
Tashmë përgjegjësitë do të rriten për drejtoritë e shkollave, dhe prindërit. Në dokumentin e siguruar nga Top Channel përcaktohet se gjatë procesit mësimor si dhe gjatë qëndrimit në shkollë nuk lejohet jo vetëm përdorimi i telefonit celular por gjithashtu edhe të pajisjeve të ndërlidhura me të. Kjo masë kufizuese përfshin edhe mësuesit, dhe ka përjashtime në raste emergjente, apo kur përdorimi lidhet me nevoja pedagogjike. Në udhëzim parashikohet se do të jetë drejtuesi i shkollës ai që do të jetë në dispozicion të komunikimit të nxënësve me prindërit në situata urgjence që do specifikohet në rregulloren e shkollës.
“Drejtoria e shkollës ka për detyrë që të sigurojë në çdo klasë një kuti/sirtar për depozitimin e telefonave celularë dhe pajisjeve të ndërlidhura me to, në rastet kur nxënësi i ka marrë ato në shkollë. Telefoni celular duhet të jetë i fikur ose në modalitetin “Airplane” dhe duhet të vendoset në kutinë e caktuar në klasë në nisje të procesit mësimor dhe deri në përfundim të tij. Të organizojë takime me prindërit, për t’i informuar mbi rregullat dhe rëndësinë e zbatimit të tyre. Prindi duhet të konfirmojë që është njohur dhe e pranon këtë rregull”.
Roli i prindërve apo kujdestarëve të fëmijëve pritet të jetë më thelbësor gjatë vitit shkollor 2025-2026, ku sipas udhëzimit duhet të zotohen për bashkëpunimin me shkollën dhe që nuk do i japin telefonat me vete nxënësve, ose në të kundërt duhet të dorëzojnë edhe një arsye pse.
“Prindi apo personi që ushtron përgjegjësinë prindërore duhet të angazhohet që nxënësi të mos marrë me vete apo të përdori telefonin celular apo pajisje të ndërlidhura me të, gjatë qëndrimit në shkollë. Në rastin kur kërkon ta pajisë fëmijën me to, duhet t’ia bëjë të ditur arsyen e pajisjes që në fillim të vitit shkollor drejtorisë së shkollës dhe duhet të angazhohet t’i bëjë të ditur fëmijës, se telefoni celular apo pajisja e ndërlidhur me të do të fiket dhe nuk do të përdoren për asnjë rast gjatë procesit mësimor”.
Në rast shkeljeve të rregullave do të ketë këshillim për herë të parë, ndërsa kur përsëriten parashikohen masa të përshkallëzuara disiplinore si edhe risia është pjesëmarrja e nxënësve në aktivitete të posaçme edukative apo në aktivitete komunitare.
Top Channel