
Liverpool ka arritur marrëveshjen e madhe të verës: sulmuesi suedez Alexander Isak pritet të transferohet në “Anfield” për shumën rekord prej 125 milionë paund, duke u bërë blerja më e shtrenjtë në historinë e futbollit britanik.
Sipas BBC Sport, palët kanë gjetur akordin dhe lojtari do t’i nënshtrohet vizitave mjekësore të hënën, përpara se të firmosë një kontratë gjashtëvjeçare me “The Reds”.
Oferta fillestare e Liverpool prej 110 milionë paund në gusht ishte refuzuar nga Newcastle, por tashmë kampionët e Anglisë kanë arritur objektivin kryesor të merkatos.
Saga e gjatë e merkatos për 25-vjeçarin përfundon vetëm në ditën e fundit të afatit kalimtar, pas një vere të trazuar. Newcastle kishte marrë më parë sulmuesin gjerman Nick Woltemade nga Stuttgart, ndërsa Isak u la jashtë turit aziatik të klubit me arsyetimin e një dëmtimi muskulor.
Vetë lojtari kishte shprehur pakënaqësi, duke deklaruar publikisht se marrëdhëniet me Newcastle ishin prishur pas premtimeve të pambajtura. Klubi nga “St. James’ Park” kishte mohuar të ketë dhënë garanci për largimin e tij, por presioni dhe mungesa në tri ndeshjet e para të kampionatit e bënë të pashmangshëm transferimin.
Me këtë lëvizje, Liverpool siguron një nga sulmuesit më të kërkuar të Premier League, i cili pritet të forcojë ndjeshëm repartin ofensiv në garën për titull.
Top Channel