
Në fshatin Përbreg të Kukësit u përkujtua sot një nga masakrat më të rënda ndaj popullsisë civile shqiptare – krimi i vitit 1913, kur forcat serbe vranë afro 375 banorë gjatë Luftërave Ballkanike.
Ceremonia përkujtimore u mbajt pranë lapidarit kushtuar viktimave. U këndua himni i flamurit, u mbajt një minutë heshtje, dhe nga të pranishmit u sollën rrëfime tronditëse për aktet barbare ndaj civilëve të pafajshëm.
Nazif Shahip Matmuja, një banor i moshuar i fshatit, ndau kujtimet që i janë trashëguar nga babai – për vrasjen e 11 anëtarëve të familjes së tij, djegien e shtëpisë dhe plaçkitjen e bagëtive.
Historiani Parim Kosova solli fakte të dokumentuara mbi masakrën dhe përmendi studimet e historianit amerikan Justin McCarthy, sipas të cilit, pas Luftërave Ballkanike, kombit shqiptar iu zhduk mbi 56% e popullsisë.
Organizatori i përkujtimores, Jonuz Hallaçi, tha se ruajtja e kujtesës historike është përgjegjësi ndaj brezave dhe një formë rezistence ndaj mohimit të së vërtetës.
Masakra e Përbregut mbetet një plagë e hapur në historinë e lumjanëve dhe Shqipërisë– një dëshmi që kërkon drejtësi dhe që nuk duhet të harrohet kurrë.
Top Channel