
Jamie Vardy është gati për një kapitull të ri në karrierën e tij, këtë herë në Itali. Sulmuesi 38-vjeçar ka pranuar të bashkohet me Cremonese, ekip që këtë sezon luan në Serie A.
Lajmi vjen vetëm pak ditë pas largimit të tij nga Leicester City, klubi me të cilin shkroi historinë në vitin 2016 duke fituar Premier League.
Negociatat mes palëve janë drejt përfundimit, ndërsa kontrata pritet të finalizohet së shpejti.
Sipas raportimeve, një video-telefonatë shumë pozitive mes Vardy dhe drejtuesve të klubit italian të mërkurën ka qenë vendimtare për dakordësinë. Sulmuesi pritet të mbërrijë në Itali brenda ditëve në vijim për të përfunduar transferimin.
Pas rënies së Leicester nga Championship këtë sezon, Vardy njoftoi largimin e tij përmes një mesazhi emocional. Me 143 gola të shënuar në ligën angleze, ai renditet i 15-ti në listën e golashënuesve më të mirë të të gjitha kohërave në Premier League.
“Nëntë vjet më parë bëmë të pamundurën – fituam Premier League,” tha ai në një videomesazh, duke kujtuar gjithashtu triumfin në FA Cup në vitin 2021 dhe rrugëtimin deri në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve në 2017.
Vardy shprehu keqardhjen që nuk mundi ta mbyllte aventurën e tij në Leicester në një mënyrë më të denjë: “Keqardhja ime e vetme – dhe kjo më thyen zemrën – është se nuk mund të them lamtumirë pas një sezoni më të mirë. Nuk doja ta përfundoja udhëtimin tim kështu.”
Megjithatë, ai e bëri të qartë se nuk ka ndërmend të pensionohet: “Nuk po tërhiqem. Dua të vazhdoj të luaj dhe të bëj atë që dua më shumë – të shënoj gola.”
Transferimi i Vardy-t në Cremonese shihet si një lëvizje e bujshme për klubin italian, që kërkon të rikthehet në elitën e futbollit italian, ndërsa për vetë sulmuesin është një sfidë e re dhe një mundësi për të përmbyllur karrierën me stil në një ambient krejtësisht ndryshe.
Top Channel