Operacioni ‘blic’ mbrëmë në Durrës, kush janë dy të arrestuarit me rrezikshmëri të lartë shoqërore

28/08/2025 10:19

Zbardhen detaje nga aksioni ‘blic’ mbrëmë në Durrës, ku u arrestuan dy persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore, Aldi (Erald) Mustafa dhe Arbi Haxhiu.

Në kuadër të zbatimit të detyrave të lëna nga Drejtori i Përgjithshëm për parandalimin dhe goditjen e armëmbajtjes pa leje dhe kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore, në vijim të punës së pandërprerë dhe goditjeve të njëpasnjëshme për këtë qëllim, mbrëmjen e djeshme strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe ato të Komisariatit të Policisë Durrës zhvilluan dhe finalizuan me sukses një tjetër operacion policor me rrezikshmëri të lartë, të koduar “The next Gun”.

Gjatë operacionit u kapën dhe u vunë në pranga 2 shtetas, njëri me rrezikshmëri të lartë, konkretisht shtetasit Aldi (Erald) Mustafa, 39 vjeç, dhe Arbi Haxhiu, 23 vjeç, të dy banues në Durrës, të cilëve në momentin e arrestimit iu është gjetur një armë zjarri pistoletë, me fishek në fole gati për qitje.

39-vjeçari, person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, me precedentë të theksuar kriminal në fushën e krimeve kundër personit dhe armëmbajtjes pa leje. Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim policor, i dyshuar si autor i ngjarjes së ndodhur më datë 13.08.2025, në lagjen nr. 14, Durrës, ku është vënë lëndë eksplozive banesës së shtetasit I. Gj.

 

Top Channel