
Më shumë se 1,500 shtëpi janë shkatërruar plotësisht në lagjen Al Zeitoun të qytetit të Gazës që nga fillimi i operacionit tokësor izraelit në këtë zonë, në fillim të muajit gusht.
Lajmi është konfirmuar nga Agjencia e Mbrojtjes Civile në Gaza, e cila vepron nën autoritetin e Hamasit, dhe është cituar nga agjencia turke Anadolu.
Sipas deklaratës së zëdhënësit të kësaj agjencie, Mahmoud Bassal, në pjesën jugore të lagjes “nuk ka më asnjë ndërtesë që qëndron në këmbë”. Ai shton se ushtria izraelite po përdor çdo ditë makineri të rënda ndërtimi dhe robotë të ngarkuar me eksplozivë, të cilët po përdoren për të rrënuar sistematikisht strukturat në këtë zonë. Gjithashtu, dronë kuadrokopterë janë angazhuar për të hedhur bomba në çatitë e banesave.
“Çdo ditë shkatërrohen deri në shtatë zona të ndryshme. Prishjet janë të planifikuara dhe synojnë të zhdukin plotësisht këtë pjesë të qytetit,” tha zëdhënësi palestinez.
Pasojat humanitare janë të rënda. Sipas agjencisë, rreth 80% e banorëve të Al Zeitoun janë zhvendosur me forcë, duke u larguar drejt pjesës perëndimore dhe veriore të qytetit të Gazës, në kërkim të një strehimi të përkohshëm.
Top Channel