Me kapele kauboji dhe brenda një banje, fotot e fundit të Kim Jong-un bëjnë xhiron e rrjetit

28/08/2025 17:05

Në një pamje që duket sikur vjen nga një komedi politike, diktatori i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, është fotografuar duke inspektuar një banjë të vogël dhe të thjeshtë, e rrethuar nga pllaka klasike që të kujtojnë mungesën e përhershme të kushteve moderne në vendin që ai drejton me dorë të hekurt.

I veshur me një xhaketë të bardhë me mëngë të gjata dhe një kapelë që ngjan me ato të kaubojve, Kim pozon si një pllakaxhi në një nga banjat e një vile të sapo ndërtuar, që është pjesë e një fshati të ri peshkimi në Provincën Hamgyong Jugor.

Pavarësisht pamjes së thjeshtë dhe teknologjisë nga një epokë tjetër (uji i ngrohtë vjen ende nga kazanë), media shtetërore KCNA e ka quajtur projektin “modern dhe piktoresk”.

Vila, sipas raportimeve, nuk është pjesë e një kompleksi të zakonshëm banimi, por një ndërtim që të kujton më shumë një fermë amerikane në stilin e serialit të dikurshëm “Dallas” – ndoshta kjo është arsyeja pse Kim kishte zgjedhur një pamje kaubojsi për këtë rast.

Sipas medias shtetërore, ndërtimi i fshatit të ri filloi në shkurt dhe u përfundua me “shpejtësi të jashtëzakonshme”, falë – siç thuhet – “gatishmërisë ideologjike” dhe “përpjekjeve të dyfishuara” të Ushtrisë Popullore Koreane. Në realitet, pas këtyre fjalëve bombastike, qëndron puna e detyruar dhe shtypja e egër që i karakterizon projektet “kombëtare” të regjimit.

Në një moment gjatë vizitës, Kim është ulur këmbëkryq në lëndinë për të shijuar “pamjet”, ndërsa shoqërohej nga zyrtarët e lartë të regjimit.

Pas kësaj “ceremonie” të çuditshme, javën e ardhshme Kim Jong-un pritet të vizitojë një aleat të vjetër: presidentin kinez Xi Jinping. Ai është ftuar të marrë pjesë, së bashku me presidentin rus Vladimir Putin, në një paradë ushtarake në sheshin Tiananmen më 3 shtator – pikërisht aty ku në vitin 1989 u shtypën protestat paqësore të qytetarëve kinezë me dhunë të pamëshirshme.

Në këtë demonstrim të forcës së diktaturave, do të marrë pjesë edhe kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico – si i vetmi përfaqësues i një vendi anëtar të Bashkimit Europian.

Top Channel