
Trajneri i Manchester United, Ruben Amorim, është vënë në qendër të talljeve në rrjetet sociale pas eliminimit të bujshëm të skuadrës së tij nga Grimsby në Kupën e Ligës.
“Djajtë e Kuq” u mposhtën në një nga surprizat më të mëdha të këtij sezoni, duke u eliminuar me penallti 12-11, pas një barazimi 2-2 në kohën e rregullt.
Rrjetet sociale shpërthyen me meme dhe komente tallëse ndaj portugezit 40-vjeçar, ndërsa tifozët kundërshtarë e shijuan në maksimum turpërimin e fundit të United. Madje, edhe vetë disa tifozë të klubit kërkuan shkarkimin e tij, duke e quajtur madje “frikacak” pasi nuk pranoi të shikonte penalltitë.
Një moment që u bë viral ishte ai kur kamerat televizive kapën Amorim duke parë i dëshpëruar tabelën e tij taktike të lagur nga shiu, teksa United po humbiste 2-0 në minutën e 62-të. Ai u pa duke lëvizur pjesët magnetike në një përpjekje për të ndryshuar formacionin.
Kjo pamje u bë objekt talljeje, me tifozë që krijuan imazhe të manipuluara ku Amorim shfaqej duke luajtur me lodra si “Etch A Sketch”, lojën “Guess Who”, apo madje duke renditur letra Pokémon. Një tjetër imazh tregonte ish-trajnerin e Sporting Lisbon duke thurur një shall në ngjyrat e Portugalisë.
Disa tifozë e akuzuan se “thjesht po bënte sikur ishte i zënë në punë”, duke e përqeshur për paaftësinë për të ndryshuar rrjedhën e ndeshjes.
Pavarësisht se United arriti të barazojë me gola nga Bryan Mbeumo dhe Harry Maguire, humbja në penallti u bë e pashmangshme pas një gabimi nga Mbeumo në goditjen e tij.
Pas ndeshjes, Amorim nuk e fshehu zhgënjimin, duke deklaruar për Sky Sports: “Në fund, nuk ka rëndësi nëse rikuperuam apo jo, por shenjat që dha skuadra në fillim të lojës ishin të qarta. Mendoj se fitoi skuadra më e mirë. Ekipi tjetër ishte më i pranishëm në fushë. Humbëm, fitoi skuadra që e meritonte.”
Ai gjithashtu kërkoi falje nga tifozët: “Kur humbet por sheh diçka të re, është ndryshe. Por ajo që pamë sot është e vështirë për t’u pranuar. Më vjen shumë keq për tifozët. Ata na mbështetën shumë, nuk kam fjalë. Thjesht më vjen keq.”
Manchester United përballet me Burnley në fundjavë në Premier League, përpara ndërprerjes ndërkombëtare.
Top Channel