5 brinjë të thyera, mushkëri e shembur dhe frakturë në shpinë, 4-herë fituesi i Tour de France transportohet në spital pas aksidentit të rëndë

28/08/2025 17:12

Chris Froome, katër herë fitues i Tour de France, është dërguar me helikopter në spital pas një aksidenti të rëndë gjatë një stërvitjeje me biçikletë në Francë.

Sipas konfirmimeve zyrtare, 40-vjeçari ka pësuar pesë brinjë të thyera, një frakturë në shtyllën kurrizore (në vertebrën lumbare) dhe një mushkëri të shembur (pneumothorax), por për fat të mirë ndodhet në gjendje stabile dhe pa dëmtime në kokë.

Aksidenti ndodhi gjatë një xhiroje stërvitore dhe nuk përfshiu asnjë automjet apo çiklist tjetër. Froome u transportua me helikopter në një spital në Toulon, ku pritet të kryejë ndërhyrjen kirurgjikale për dëmtimet e pësuara.

Në deklaratën zyrtare thuhet: “Chris u transportua me helikopter në spitalin e Toulon pas një aksidenti serioz gjatë stërvitjes (pa përfshirje të mjeteve apo çiklistëve të tjerë). Për fat të mirë, ai është në gjendje stabile dhe nuk ka dëmtime në kokë. Skanimet kanë konfirmuar një mushkëri të shembur, pesë brinjë të thyera dhe një frakturë në vertebrën lumbare. Ai do t’i nënshtrohet një operacioni këtë pasdite. Do të publikojmë përditësime pas ndërhyrjes.”

Gazeta franceze L’Équipe raportoi se Froome ishte i vetëdijshëm pas rrëzimit dhe arriti të komunikojë me personat që e ndihmuan në vendngjarje. Ai pritet të mungojë për pjesën e mbetur të sezonit çiklistik.

Aktualisht, Froome është në fund të kontratës së tij me ekipin Israel–Premier Tech, por pavarësisht zërave për tërheqje, ai ka hedhur poshtë idenë e pensionimit.

“Ndihem sikur më është dhënë një shans i dytë. Nëse ai aksident do të kishte qenë fundi i karrierës sime, do të ndihesha se ende kisha më shumë për të dhënë,” – u shpreh ai.

Froome nuk ka fituar ndonjë garë madhore që nga Giro d’Italia në vitin 2018, ndërsa një aksident tjetër i rëndë në vitin 2019, ku theu femurin, e mbajti jashtë për tetë muaj.

Megjithatë, ai mbetet i vendosur të vazhdojë: “Edhe pse nuk jam më në krye të garave, ende e shijoj punën time dhe të qenët pjesë e ekipit. Është si të kem kthyer 15 vjet pas dhe po përpiqem sërish të arrij nivelin më të lartë.”

Froome është i martuar me Michelle dhe kanë dy fëmijë së bashku. Në vitin 2018, ai u nderua me titullin OBE (Order of the British Empire) për arritjet e tij të jashtëzakonshme në sportin e çiklizmit, përfshirë triumfet në Tour de France në vitet 2013, 2016, 2017 dhe 2018.

Top Channel