1.4 trilionë lekë kursime, shqiptarët kursyen më shumë pavarësisht pushimeve, frenohen kreditë

28/08/2025 15:26

Pavarësisht pushimeve të verës, shqiptarët janë treguar më dorështrënguar në shpenzimet e tyre, duke kursyer kështu më shumë para.

Përveç parave nën “dyshek”, rreth 1.4 trilionë lekë para kanë kursyer shqiptarët në depozitat e tyre bankare, në rritje krahasuar me korrikun 2024.

Ndalur në lekë apo valutë, të dy treguesit kanë shënuar rritje. Në 665 miliardë lekë apo thënë ndryshe 6.8 miliardë euro janë kursimet në lekë një rritje me 11.8% krahasuar me një vit më parë.

Si rezultat dhe i ardhjes së emigrantëve por dhe prurjeve nga turizmi, janë rritur edhe kursimet në valutë në 8.26 miliardë euro me rritje 8.3% me bazë vjetore.

Nga ana tjetër kreditimi i ekonomisë u ngadalësua lehtë në muajin korrik. Sipas Bankës së Shqipërisë, kredia e re arriti vlerën e 28.9 miliardë lekëve, 1.3% më pak krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

Ndjeshëm kredi kanë marrë individët. Me një rritje 14% kredia për individët arriti në 9.8 miliardë lekë e ndikuar kryesisht  nga interesi për të blerë pasuri të paluajtshme si dhe kredi për konsum.

Ndërsa kredia për biznese arriti në 19.1 miliardë lekë në rënie krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Top Channel