Të huajt zbulojnë Kallmin! Plazhi i egër që dikur durrsakët e ruanin si sekret, kthehet në atraksion turistik

27/08/2025 15:22

Vetëm pak kilometra larg zhurmës së qytetit dhe plazhit të madh, aty ku rruga të çon mes kodrës së gjelbëruar dhe detit të kaltër, shfaqet një pamje që të lë pa fjalë, plazhi i Kallmit.

Dikur një sekret i ruajtur nga durrsakët, sot ky breg i virgjër, me gjire të vogla, është shndërruar në një destinacion edhe për turistë vendas e të huaj dhe pse ende të pakët. Të vish këtu duhet të kalosh nëpër një rrugë të pashtruar, që e ka mbrojtur, deri më sot, nga babëzia e ndërtimeve.

Qetësia, uji i pastër dhe shtigjet e natyrës e bëjnë këtë zonë një perlë të vërtetë të Adriatikut.

“Është vendi më i mirë në Durrës, vend që zakonisht e kanë njohur vetëm vendalitë. Kemi shokë e miq këtu dhe na e kanë mësuar. Vend i qetë, i bukur, i pastër. Ka çdo të mirë.”

“Uji i pastër, nuk ka mbeturina, nuk ka lokale dhe gjuajmë për peshk.”

“E dashuroj këtë zonë te plazhit. Është kaq e bukur. Det i mrekullueshëm. Ka peshq. Bëjmë zhytje me maska. E mrekullueshme. Vij nga Afrika e Jugut dhe kam një jave këtu.”

“Jam njohur me këtë zonë shumë vite më parë dhe ka ndryshuar për mirë. Më pëlqen. “

“Shumë e veçantë sepse nuk ka shumë njerëz dhe uji është shumë i pastër…. Bëjmë dhe zhytje dhe është shumë bukur. E kemi zbuluar duke lëvizur me biçikletë.”

Me peisazhet e paprekura dhe qetësinë që nuk e gjen lehtë në plazhet e Adriatikut, Kallmi është sot një nga surprizat më të bukura të Durrësit.

Një vend ku plazhi, aventura dhe paqja bashkohen për të krijuar një përvojë unike për çdo vizitor.

Top Channel