Qëlluan me armë efektivët e policisë për t’i shpëtuar kontrollit, Gjykata e Durrësit jep vendimin për Ardit Domin dhe Lorenc Çalin

27/08/2025 10:58

Gjykata e Durrësit ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për Ardit Domin dhe Lorenc Çalin, dy të rinjtë nga Shijaku, fshati Bilalas, që u përfshinë në një përplasje të armatosur me policinë pak ditë më parë.

Korrespondentja e Top Channel Vali Qyrfyçi raporton se të dy akuzohen nga Prokuroria e Durrësit për “vrasje të punonjësit të Policisë së Shtetit, e mbetur në tentativë”, “vjedhje me armë” dhe “armëmbajtje pa leje”. Në sallën e gjyqit ata u përfaqësuan nga avokatë të caktuar kryesisht, pa mbështetjen e familjarëve.

Ngjarja kriminale, në të cilën u përfshinë të dy, ndodhi në orët e para të së dielës, kur policia tentoi të ndalonte automjetin e vjedhur me të cilin po udhëtonin Domi dhe Çali. Ata refuzuan t’i bindeshin urdhrit dhe u larguan me shpejtësi, duke nisur ndjekjen policore. Pranë Vorës, në vendin e njohur si Çezma e Pikëzës, automjeti i tyre doli nga rruga, por të rinjtë vijuan rezistencën duke qëlluar me breshëri automatiku ndaj forcave të policisë.

Në përpjekje për t’i neutralizuar, policia u kundërpërgjigj me armë. Nga shkëmbimi i zjarrit, Ardit Domi mbeti i plagosur dhe u dërgua në spital ku dhe u arrestua, ndërsa Lorenc Çali u kap dhe u vu në pranga. Automatiku i përdorur gjatë sulmit u sekuestrua si provë materiale.

Pavarësisht plagës në qafë, Domi u paraqit në seancën gjyqësore. Të dy të rinjtë do të qëndrojnë në qeli deri në përfundim të hetimeve.

Top Channel