
Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në bashkëpunim me katedrën e Albanologjisë në Mynih në universitetin elitar Ludëig-Maximilians do të prodhojnë audiobooks për veprat poetike të Martin Camaj.
Kjo iniciativë vjen në kuadër të Vitit Martin Camaj. Viti 2025 është shpallur nga katedra e Albanologjisë në Mynih Viti Martin Camaj duke qenë se është 100-vjetori i tij i lindjes.
Për herë të parë, katedra e Albanologjisë në Mynih në universitetin Ludëig-Maximilians drejtohet nga një grua, znj. Enkeleida Kapia, pas viteve të tëra që u drejtua nga zoti Bardhyl Demiraj.
Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli e uroi znj. Kapia si një rritje e kuotave të grave në hapësirat e shkencës dhe studimeve shqipe.
Enkeleia Kapia, shefe e katedrës së Albanologjisë në Mynih në universitetin elitar Ludëig-Maximilians, e pranishme sot në hapësirat e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit e vlerësoi figurën dhe kontributin e Martin Camaj në kulturën shqiptare. Për të është shumë e rëndësishme që poezitë të Camajt të përcohen te brezat e rinj përmes zërit.
“Martin Camaj vlerësohet si njëri ndër krijuesit më të veçantë në letërsinë dhe kulturën shqiptare. Ndaj me këto audiobooks synohet që të përcohet gjithcka që ai la pas edhe te brezat e rinj. Në këto audiobooks synohet që të marrin pjesë zëra të rinj për të lexuar pjesë poetike nga Martin Camaj. Po ashtu një kërkesë e vecantë do t’i bëhet edhe bashkëshortes së tij, Erika Camaj që të lexojë një pjesë të poezive të Camaj”, u shpreh ndër të tjera Enkeleia Kapia, shefe e katedrës së Albanologjisë në Mynih.
Ndërsa Alda Bardhyli, drejtore e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit u shpreh se krijimtaria e Martin Camajt nuk është krijimtari e një krijuesi të një mjedisi dhe i një kohe të caktuar e me dimemsione të kufizuara gjeografike, por është një shkrimtar modern me përmasa universale.
Në kuadër të 100-vjetorit të lindjes Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në bashkëpunëim me katedrën e Albanologjisë në Mynih do të organizojnë edhe një simpozium të veçantë ku do të referojnë personalitete të fushës së letërsisë e albanologjisë, studiues, pedagogë etj.
Kush ishte Martin Camaj
Martin Camaj lindi më 21 korrik 1925. Ai ishte poet, shkrimtar dhe studiues i njohur i gjuhës shqipe.
U lind në Temal të Dukagjinit. Kërkimet akademike të Camajt u përqendruan në gjuhën shqipe dhe dialektet, në veçanti të atyre në Italinë jugore. Veprimtaria e tij letrare në harkun 45 vjeçar ka disa shkallë zhvillimi.
Ai e nisi me poezinë, zhanër mbas të cilit i mbeti besnik gjithë jetën, kurse gjatë viteve të fundit u përqendrua shumë tek proza. Vëllimi i tij i parë me varg klasik “Nji fyell ndër male”, Prishtinë 1953 (Një fyell ndër male), dhe “Kânga e vërrinit”, Prishtinë 1954 (Kënga e lëndinave), u frymëzuan nga banorët e zonave ku lindi, malësorët e veriut, mbas të cilëve qëndroj shumë i afërt shpirtërisht edhe mbas shumë e shumë viteve në mërgim dhe pamundësia për t’u kthyer.
Poezia e periudhës së pjekurisë së Camajt dëshmon për ndikimin e lëvizjes hermetike të poetit italian Xhuzepe Ungareti (Giuseppe Ungaretti, 1888-1970). Një përmbledhje vjershash të zgjedhura i është përkthyer italisht nga Françesko Solano në një botim dygjuhësh Martin Camaj – Poesie, Palermo 1985 (Poezi), anglisht nga Leonard Fox, Selected Poetry, Nju Jork 1990 (Poezi të zgjedhura), dhe gjermanisht nga Hans-Joachim Lanksch, Gedichte, Mynih 1991 (Poezi).
Martin Camaj ndërroi jetë në Mynih më 12 mars 1992.
Top Channel