
Ka përfunduar në pranga ish-kryeinspektori i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, në Durrës, Ardian Halili.
Ai akuzohet se gjatë kohës që mbante postin, në vitin 2017, ndërtoi pa leje një resort luksoz me shtëpi pushimi në fshatin Shetaj të Ishmit, pranë Kepit të Rodonit.
Bëhet fjalë për kompleksin “Saint Michelle Residence”, një territor me vila pushimi, pishinë, vende parkimi dhe restorant, të ndërtuar buzë detit, në një nga zonat më të frekuentuara turistike të Durrësit. Fotot tregojnë se vetë Halili shfaqej duke promovuar resortin në rrjetet sociale, ndërsa policia thotë se ndërtimet u zbuluan vetëm këtë muaj.
Specialistët për hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar bënë të ditur se 55-vjeçari nga Tirana u arrestua këtë të mërkurë dhe ndodhet në hetim për “ndërtim pa leje”. Aktualisht nuk dihet numri i saktë i objekteve të paligjshme, por pritet që Agjencia Shtetërore e Kadastrës të verifikojë dokumentacionin për të gjithë kompleksin.
Rasti i Halilit, ashtu si dhe të tjerë, ngre pikëpyetje mbi abuzimet me detyrën dhe ndërtimet pa leje, pikërisht nga ata që duhej t’i ndalonin dhe ta mbronin territorin. Vetëm pak ditë më parë kryeministri Edi Rama paralajmëroi se aksioni ndaj ndërtimeve pa leje nuk do të kursejë askënd, madje as zyrtarët që “mbyllin sytë” përballë paligjshmërisë.
Top Channel