
Emma Mazzenga, një 92-vjeçare nga Padova, vazhdon të jetë një shembull i jashtëzakonshëm i vitalitetit dhe formës fizike.
Me 11 tituj botërorë, 31 tituj evropianë dhe 115 tituj italianë në karrierën e saj, ajo ka vrapuar pothuajse gjithë jetën, ndërsa riktheu garimin në moshën 53-vjeçare. Sot, trupi dhe forma e saj fizike janë studiuar në universitete si Marquette në Milwaukee dhe Universiteti i Pavias.
“Më thanë se kam muskujt e një shtatëdhjetëvjeçareje dhe oksigjenimin qelizor të një njëzetvjeçareje,” thotë ajo me humor. “Më duket e pabesueshme. Një gjë është e sigurt: nuk kam ndalur kurrë.”
Rutina e përditshme e Emma-s
Emma nis ditën herët, duke bërë kafe në orën pesë dhe duke lexuar për disa minuta para mëngjesit. Ha një sanduiç me proshutë dhe më pas dalë jashtë për pazarin ose për të bërë pak pastrim. Pasdite, ajo pushon duke lexuar, dhe më pas shkon në kinema, në klubin e librit, ose për t’u takuar me miqtë dhe për të stërvitur trupin. Mbrëmjet kalojnë me televizor dhe shtrat rreth orës 23:00.
Ushqimi dhe aktiviteti fizik
“Pak nga çdo gjë. Tani kufizoj porcionet,” thotë ajo. Drekën e përbëjnë 30-40 gram makarona ose oriz, të ndjekura nga një pjatë e dytë dhe perime të gatuara. Alternon mishin dhe peshkun, ndërsa në darkë konsumon vetëm disa perime dhe një copë djathë. Çdo ditë pi gjysmë gote verë të kuqe në drekë dhe gjysmën tjetër në darkë.
Emma nuk e përdor makinën shpesh, dhe vrapi ka mbetur pjesë e pandarë e jetës së saj: “Jeta ime nuk ka qenë kurrë sedentare. Edhe gjatë Covid-it, vrapoja në korridorin e shtëpisë. Pas një ore stërvitje, ndihem shumë mirë.”
Fitimet dhe motivimi
Edhe pse në moshë të avancuar, Emma vazhdon të thyejë rekorde. Në janar 2024 vendosi një rekord botëror në 200 metra për kategorinë W90 dhe në qershor të njëjtit vit e përmirësoi kohën e saj me më shumë se një sekondë. “Do të doja t’u thoja të gjithëve: nuk është kurrë vonë!”
Për Emma-n, vrapi dhe aktiviteti fizik nuk janë vetëm sport, por edhe një mënyrë për të qëndruar të lidhur me të tjerët dhe për të ruajtur mirëqenien. “Zgjohu nga divani. Mos qëndro kurrë i mbyllur në shtëpi për një ditë të tërë. Kjo sjell trishtim dhe nuk ndihmon as mendjen dhe as trupin,” këshillon ajo.
Emma Mazzenga është një shembull i gjallë që kurrë nuk është vonë për të nisur lëvizjen dhe për të jetuar një jetë aktive dhe të shëndetshme, pavarësisht moshës.
Top Channel