Dikur përjashtohej nga kampionati, sot kualifikohet në Champions League! Historia e pabesueshme e klubit nga Rrethi Arktik, do sfidojë gjigantët europianë

27/08/2025 10:39

Ka histori në sport që duken si trillim, por realiteti i Bodø/Glimt i tejkalon ato.

Klubi i vogël norvegjez, me bazë në qytetin Bodø prej vetëm 55 mijë banorësh, do të luajë për herë të parë në historinë e tij në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve.

Rruga deri këtu nuk ka qenë e lehtë. I vendosur brenda Rrethit Arktik, Bodø përjeton dimra të ashpër me vetëm disa orë dritë në ditë dhe temperatura mesatare -4°C. Për vite të tëra, ekipet norvegjeze refuzonin të udhëtonin aq larg për të luajtur ndeshje, ndaj Bodø/Glimt nuk u pranua në Divizionin e Parë deri në vitin 1971.

Gjërat ndryshuan rrënjësisht vetëm në vitin 2018, kur Kjetil Knutsen mori drejtimin e ekipit. Nga ndihmës trajner në Divizionin e Dytë, ai e transformoi klubin në një fuqi të vërtetë: katër tituj kampion që prej vitit 2020, një eliminim tronditës të Romës së Mourinhos, një gjysmëfinale të Ligës së Evropës dhe tani një kualifikim historik në Champions. Bodø/Glimt bëhet kështu skuadra më veriore që ka garuar ndonjëherë në elitën e futbollit europian.

Sekreti? Një filozofi krejt ndryshe nga klubet e mëdha. “Ne nuk flasim për fitore në kampionat apo për Champions. Qëllimi ynë është të jemi më të mirë nesër sesa jemi sot”, tha drejtori ekzekutiv i klubit. Ky mentalitet i ka çuar në majat e futbollit, duke mbetur besnikë ndaj kulturës së tyre.

Tani, në Bodø pritet që skuadrat gjigante të Europës – qoftë Real Madrid, Barcelona apo PSG – të udhëtojnë drejt Arktikut për të kërkuar pikë. Dhe ndonëse të ftohtit mund të jetë sfidë, Bodø/Glimt nuk ka ndërmend të tradhtojë filozofinë e vet. Historia e tyre sapo ka filluar.

Top Channel