
Pas 11 albumeve të mbushura me dashuri, ndarje dhe thyerje zemre, duket se Taylor Swift më në fund e ka gjetur princin e saj të kaltër.
Lajmi për fejesën e saj me yllin e Ligës së Futbollit Amerikan, Travis Kelce, ka entuziazmuar fansat, por ka ngritur dhe një pyetje të natyrshme: Çfarë do të ndodhë me muzikën e saj tani që ajo është e fejuar?
Taylor Swift është vlerësuar për aftësinë e saj si tekstshkruese, duke shkrirë përjetimet personale me temat universale si dashuria, shpresa, zhgënjimi apo tradhtia. Që në fillimet e karrierës së saj, jeta sentimentale ka qenë në qendër të krijimtarisë.
Kënga e saj e parë, Tim McGraw, lindi pas një ndarjeje të pashmangshme, ku kujtonte vallëzimet nën dritën e hënës me ish të dashurin e shkollës. Kjo prirje për ta kthyer jetën personale në art ka vazhduar pa ndërprerje: nga zemërimi ndaj burrave emocionalisht të paarritshëm (All Too Well), te historitë me “djemtë e këqij” (I Knew You Were Trouble), apo romancat e shkurtra (Getaëay Car).
Swift ka përdorur madje dhe autoironnë. Në ‘Shake It Off’, ajo i përgjigjet mediave që e akuzonin për “takime të shumta që përfundonin keq”, ndërsa në Blank Space ajo luan me stereotipin e gruas posesive dhe dramatike, duke e kthyer në art satirik.
Në intervista, ajo ka treguar se për shumë vite media e ka portretizuar si një “vajzë që mbledh burra”, por në vend që të lëndohej, ajo vendosi të shfrytëzojë narrativën, duke e shndërruar atë në pjesë të identitetit të saj artistik.
Por tani, me një fejesë të konfirmuar dhe një album të ri në horizont, po shtrohet një pyetje: A mund të jetë lumturia burim frymëzimi aq i fuqishëm sa dhimbja?
Historikisht, shumë artistë kanë hasur vështirësi kreative kur janë vendosur në një jetë të qetë familjare. Bruce Springsteen, për shembull, pas martesës dhe zhvendosjes në Kaliforni, publikoi dy albume që kritikët i vlerësuan si më të dobëtat e tij, shkruan në një analizë BBC.
Megjithatë, për gratë artiste, kjo “qetësi” shpesh ka sjellë transformime artistike pozitive. Ray of Light i Madonës dhe albumi Beyoncé i vitit 2013 janë shembuj të fuqishëm sesi përjetimet personale si nënë, partnere, grua, janë kthyer në forma të reja të fuqishme arti.
Taylor vetë ka treguar se mund të shkruajë edhe nga një vend paqeje emocionale. Marrëdhënia e saj gjashtëvjeçare me Joe Alëyn solli këngë si Delicate dhe Lover, që konsiderohen ndër më të ndjerat në repertorin e saj.
Në albumin The Tortured Poets Department, ajo përfshiu dy këngë për Travis Kelce, So High School dhe The Alchemy, të cilat tregojnë një ndjenjë rikthimi të besimit në dashuri. Në këngët e tyre ka më shumë gëzim e shpresë.
Albumi i ardhshëm, The Life of a Showgirl, që pritet të dalë së shpejti, është përshkruar si më ritmik. Ai është shkruar gjatë fazave të hershme të lidhjes me Kelce, gjatë turneut Eras Tour në Evropë.
Një kthesë e re në karrierë?
Kjo nuk do të ishte hera e parë që Swift ndryshon kursin e saj artistik. Gjatë pandemisë, ajo u largua nga rrëfimet personale për të eksperimentuar me fabula të trilluar në Folklore dhe Evermore, dy albume që fituan vlerësime të jashtëzakonshme dhe e risollën në qendër të skenës kritike.
Nëse martesa e saj do të shënojë një kthesë të re, ajo mund të hapë një kapitull krejtësisht të ri, ku muzika e saj eksploron përvoja të reja: përkushtimin, bashkëjetesën, sfidat e përditshme të dashurisë afatgjatë.
Disa fansa kanë vënë re një simbolikë interesante: albumi i saj i 13-të (numri i saj me fat) do të jetë i pari që përballon tematikën e martesës. Rastësi? Apo një plan artistik i menduar me kujdes?
Top Channel