
Cadillac ka zbuluar sot formacionin e saj të parë në Formula 1, duke njoftuar një dyshe të përzgjedhur me përvojë të madhe: Valtteri Bottas dhe Sergio Perez.
Ekipi amerikan, i mbështetur nga General Motors, do të debutojë vitin e ardhshëm si skuadra e 11-të në garat më elitare të motorsportit.
Lajmi u bë publik me një video spektakolare të shoqëruar nga zëri i aktorit të njohur Keanu Reeves, duke i dhënë fund muajve të tërë spekulimesh për dy vendet bosh në skuadrën e re.
Të dy pilotët ishin jashtë garave për sezonin 2025:
Bottas, i cili mbush 36 vjeç këtë javë, humbi vendin e tij te Sauber në vitin 2024 dhe aktualisht është pilot rezervë te Mercedes.
Perez, 35 vjeç, u largua nga Red Bull pas një sezoni zhgënjyes krah Max Verstappen.
Midis tyre, Bottas dhe Perez numërojnë 16 fitore, 106 podiume dhe 23 pole position në mbi 527 gara të zhvilluara, duke u bërë një zgjedhje e sigurt për një skuadër që po ngrihet nga e para.
“Nënshkrimi i dy pilotëve me përvojë si Bottas dhe Checo është një sinjal i fortë i ambicies sonë. Ata e dinë se çfarë duhet për të fituar, por edhe për të ndërtuar një skuadër nga themeli”, tha drejtuesi i ekipit, Graeme Lowdon, duke falënderuar Mercedes për bashkëpunimin.
Vetë Bottas deklaroi se e ndjeu menjëherë “ambicien” në këtë projekt të ri: “Nuk është thjesht një projekt garash, por një vizion afatgjatë. Është e rrallë të kesh shansin të jesh pjesë e diçkaje që ndërtohet nga zero.”
Ndërsa Perez u shpreh se ndjeu “pasionin dhe vendosmërinë” që në bisedat e para me skuadrën: “Cadillac është një emër legjendar në motorsportin amerikan dhe është nder të ndihmoj ta sjell këtë kompani në Formula 1.”
Presidenti i General Motors, Mark Reuss, e cilësoi dysen e re si “një shtesë të jashtëzakonshme” që do të ndihmojë në krijimin e një trashëgimie të veçantë për markën Cadillac në F1.
Debutimi i madh do të vijë në sezonin 2026, ndërsa këtë fundjavë Formula 1 rikthehet në pistë me Çmimin e Madh të Holandës në Zandvoort, gara e parafundit e pistës para se të largohet nga kalendari.
Top Channel