
Albin Kurti kaloi pranë gazetarëve por preferoi t’i shpërfillte pyetjet e tyre përpara se të niste seanca e radhës konstituive e Kuvendit të Kosovës.
Deputetët mblidhen sot sërish në përpjekje për të zgjedhur kryeparlamentarin dhe për të zhbllokuar më në fund ngërçin e tejzgjatur politik. Seanca vazhdon aty ku u ndërpre dy ditë më parë, në pikën e tretë të rendit të ditës, që është zgjedhja e kreut të parlamentit.
Vetëm pas emërimit të kryetarit të ri dhe pesë nënkryetarëve arrihet konstituimi i Kuvendit dhe i hapet rruga krijimit të një qeverie të re. Kjo do të jetë hera e katërt që deputetët mblidhen për ta konstituuar Kuvendin që nga publikimi i plotë i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese më 18 gusht, i cili i urdhëron deputetët ta bëjnë Kuvendin e ri brenda një afati 30-ditor.
Në tre seancat e kaluara, fituesja e zgjedhjeve të përgjithshme të shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje – të cilës i takon të propozojë kandidat për kryeparlamentar – i ka hedhur pesë kandidatë në votim, por asnjëri prej tyre nuk i mori të paktën 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur. Deri tani janë rrëzuar pesë emra të propozuara nga forca politike e Kurtit: Albulena Haxhiu, Hekuran Murati, Arbërie Nagavci, Donika Gërvalla, Dimal Basha.
Asnjëri prej tyre nuk ka arritur të grumbullojë më shumë se 57 vota. Vetëvendosjes ndërkohë i nevojiten votat e partive kundërshtare për zgjedhjen e kryeparlamentarit, pasi 48 vendet e saj në Kuvend nuk mjaftojnë për ta aprovuar vetë emrin e ri. Nuk është e qartë se ka vullnet nga partitë e tjera për ta votuar ndonjërin prej kandidatëve të Vetëvendosjes në takimin e sotëm.
Top Channel