Putin-Zelensky, tërhiqet Trump? Ul pritshmëritë për takimin pas një telefonate…

26/08/2025 12:10

Presidenti amerikan Donald Trump duket më pak optimist tani për gjasat e një takimi mes Volodimir Zelenskyt dhe Vladimir Putinit.

Telefonata e fundit me shefin e Kremlinit duket ia preu hovin kreut të Shtëpisë së Bardhë, që i uli pritshmëritë e takimit të shumëdiskutuar, duke u shoprehu më i rezervuar në lidhje me të.

Nuk e di nëse ata do të takohen. Ndoshta do të takohen. Ndoshta jo“-u shpreh Trump.

Javën e kaluar, zëdhënësja e Trumpit, Karoline Leavitt, kishte deklaruar pas pyetjeve të përsëritura nga ana e gazetarëve, se Putini kishte rënë dakord për një takim të drejtpërdrejtë me Zelenskin gjatë javëve të ardhshme.

Pas takimit Trump-Putin u fol shumë se një takim midis Putinit dhe Zelenskit mund të zhvillohet së shpejti, por që atëherë Kremlini i ka minimizuar këto pritshmëri.

Ministri i Jashtëm Sergei Lavrov deklaroi së fundmi se Moska dhe Kievi duhet së pari të bien dakord për paqen dhe pastaj një takim midis presidentëve mund të vulosë marrëveshjen.

Zelensky nga ana e tij pohoi se në fund të javës do të zhvillojë bisedime me përfaqësuesit e SHBA-së në lidhje me negociatat e mundshme me Rusinë për t’i dhënë fund luftës. Ai u takua në Kiev me të dërguarin special të SHBA-së, Keith Kellogg, me të cilin njoftohet se diskutoi për sanksione të mundshme kundër Moskës, ndërsa ka vazhduar t`i mëshojë idesë së garancive të sigurisë në rastin e një marrëveshjeje paqeje me Rusinë.

Top Channel