
Një natë përjetësie në Almaty! Në një stadium të zjarrtë dhe plot emocion, Kairat Almaty shkroi një nga faqet më të arta të historisë së futbollit kazak, duke eliminuar gjigantin skocez Celtic, fituesin e Tripletës në sezonin 1966/67, dhe duke siguruar për herë të parë një vend në fazën e grupeve të Champions League.
Heroi i mbrëmjes ishte Temirlan Anarbekov, një portier 21-vjeçar i aktivizuar në emergjencë, i cili u kthye në mit. Ai priti tre penallti vendimtare në “ruletën” e fundit, duke mposhtur Adam Idah, Luke McCowan dhe Daizen Maeda, ndërsa legjenda daneze Kasper Schmeichel nuk mundi veçse të dorëzohej.
Në 180 minuta lojë dhe shtesë, Celtic dominoi me përvojë por jo me ide, duke u thyer nga disiplina dhe zemra e një skuadre që luftoi deri në fund. Kur arbitri dha sinjalin e fundit, mijëra tifozë shpërthyen në festë të papërshkrueshme: Kairat Almaty i bashkohet vetëm Astana-s si skuadra e dytë nga Kazakistani që arrin grupet e Champions League, një dekadë pas suksesit të tyre.
Ky kualifikim është shumë më tepër se sportiv: është një moment krenarie kombëtare, një ëndërr e bërë realitet për një qytet dhe një vend të tërë, që prej dekadash ka parë futbollin europian vetëm nga distanca.
Në anën tjetër, për Brendan Rodgers dhe Celtic, ky eliminim është një goditje e rëndë – jo vetëm sportive por edhe financiare, pasi humbja e grupeve të Champions League i kushton klubit miliona euro në të ardhura.
Kairat Almaty jo vetëm që eliminoi një gjigant, por tregoi se në futbollin modern ende ka vend për mrekulli.
Top Channel