Gjermania nuk planifikon të njohë një shtet palestinez, Merz: Kushtet për shtetësi nuk janë përmbushur

26/08/2025 13:19

Kancelari gjerman, Friedrich Merz tha sot se Gjermania nuk do t’i bashkohet një iniciative nga aleatët perëndimorë për të njohur një shtet palestinez në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara muajin e ardhshëm në Nju Jork.

Merz i bëri këto komente në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin kanadez Mike Carney, i cili tha muajin e kaluar se Kanadaja planifikonte të njihte një shtet palestinez në Asamblenë e Përgjithshme, pas njoftimeve të ngjashme nga Franca dhe Britania.

“Pozicioni i qeverisë federale është i qartë për njohjen e një shteti palestinez. Kanadaja e di këtë. Ne nuk do t’i bashkohemi kësaj iniciative. Ne nuk besojmë se kushtet për shtetësi janë përmbushur në asnjë mënyrë në këtë kohë”, tha Merz.

Gjermania beson se njohja e një shteti palestinez duhet të jetë një nga hapat e fundit në një zgjidhje me dy shtete në të cilën izraelitët dhe palestinezët mund të jetojnë në paqe krah për krah.

Në të kundërt, Carney njoftoi në fund të korrikut se vendi i tij do ta njihte Palestinën si shtet në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtator. Presidenti francez, Emmanuel Macron gjithashtu planifikon ta bëjë këtë, ndërsa Britania e Madhe e ka kërcënuar Izraelin se do të njohë një shtet palestinez nëse nuk përmbushen kushte të caktuara.

Carney e justifikoi vendimin e tij duke thënë se perspektivat për një zgjidhje me dy shtete po përkeqësohen gjithnjë e më shumë.

Top Channel