
Qeveria e pakicës në Francë rrezikon të rrëzohet muajin e ardhshëm, pasi tre partitë kryesore të opozitës kanë deklaruar se nuk do të mbështesin votëbesimin e shpallur nga kryeministri François Bayrou më 8 shtator, në lidhje me paketën e tij të thellë të shkurtimeve buxhetore.
E djathta ekstreme dhe të Gjelbrit kanë bërë të qartë se do të votojnë kundër tij. Socialistët – votat e të cilëve janë vendimtare për mbijetesën politike të Bayrou-t – kanë thënë se nuk ka gjasa ta mbështesin, nëse ai nuk ndryshon rrënjësisht qëndrimin e tij ndaj buxhetit, gjë që shihet si shumë pak e mundshme.
Në rast të një humbjeje në Asamblenë Kombëtare, qeveria do të bjerë. Pasiguria politike ka shkaktuar tashmë shqetësime në tregjet financiare: kostoja e huamarrjes së Francës kundrejt Gjermanisë është rritur me pesë pikë bazë, në nivelin më të lartë që nga mesi i qershorit, ndërsa indeksi CAC-40 ra me 1.6%.
Presidenti Emmanuel Macron do të përballet me tre mundësi: Të emërojë një kryeministër të ri, t’i kërkojë Bayrou-t të qëndrojë si kalimtar ose ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme. Kujtojmë se paraardhësi i Bayrou-t, Michel Barnier, humbi besimin e parlamentit në fund të vitit 2024, pas vetëm tre muajsh në pushtet.
Vetë Bayrou e ka pranuar se po merr një rrezik politik, duke theksuar se “është edhe më e rrezikshme të mos bësh asgjë” përballë borxhit të madh publik. Sipas tij, vota e besimit do të tregojë nëse ai ka mbështetje të mjaftueshme për paketën me vlerë 44 miliardë euro, që synon uljen e deficitit buxhetor – i cili vitin e kaluar arriti në 5.8% të PBB-së, pothuajse dyfishi i kufirit të lejuar nga BE.
Edhe nëse votëbesimi kalon, sfida e vërtetë do të jetë miratimi i vetë buxhetit më vonë gjatë vitit. Ndër masat e propozuara janë: Heqja e dy festave zyrtare, ngrirja e shpenzimeve sociale dhe mosrregullimi i kategorive tatimore sipas inflacionit.
E djathta ekstreme, të Gjelbrit dhe e majta radikale kanë dalë hapur kundër qeverisë. Socialistët po lënë të hapur vetëm mundësinë e dialogut, nëse Bayrou ndryshon qasjen. “Kryeministri mbetet kokëfortësisht i palëkundur”, tha zëdhënësi i socialistëve, Arthur Delaport.
Votimi vendimtar do të zhvillohet vetëm dy ditë para demonstratave të planifikuara më 10 shtator – protestë që tashmë po krahasohet me lëvizjen e “Jelekëve të Verdhë” që tronditi Francën në vitin 2018.
Çfarë është Lëvizja e 10 Shtatorit?
Lëvizja e 10 shtatorit është një lëvizje spontane, e ngjashme me atë të “Jelekëve të Verdhë”, që ka marrë formë përmes mediave sociale. Pa një lidership të qartë apo strukturë zyrtare, ajo u krijua rreth një muaj më parë – menjëherë pas shpalljes së paketës së Bayrou-t – dhe është rritur në mënyrë të shpejtë online.
Qëndrimi kryesor i kësaj lëvizjeje është refuzimi i buxhetit që nuk përmban thjesht disa shkurtime simbolike, por një prerje të madhe prej 44 miliardë eurosh – propozim që ka ngjallur kundërshtime edhe në qarqet më konservatore të vendit.
Bayrou ka theksuar se deficiti publik i Francës rritet me 12 milionë euro çdo orë, por qytetarët francezë kundërshtojnë prerjet, sidomos ato në sektorët e shëndetësisë dhe arsimit. Ata argumentojnë se politikat e Macron dhe Bayrou këtë herë “nuk do të kalojnë”.
Për protestën e 10 shtatorit, lëvizja ka bërë thirrje për një mobilizim të gjerë të sindikatave dhe sektorëve të punës, duke ftuar në “protesta paqësore në gjithë vendin”. Në rrjetet sociale, ajo thekson synimin për të “paralizuar gjithçka në vend”.
Zgjedhjet e Macron dhe një bllokim i ri politik
Presidenti francez, i cili në korrik 2024 ndërmori një hap të rrezikshëm politik duke shpallur zgjedhje të parakohshme pas fitores së së djathtës ekstreme në zgjedhjet evropiane, nuk e ka respektuar plotësisht vullnetin e kutisë së votimit. Edhe pse Kushtetuta i jep të drejtën për të emëruar kryeministrin, ishte politikisht “e pazakontë” që ai të mos zgjidhte një përfaqësues nga Unioni i së Majtës – fituesi i zgjedhjeve.
Nëse qeveria e Bayrou-t bie, siç është e mundur, Macron do të përballet sërish me tri opsione: Të mbajë Bayrou-n si kalimtar, të emërojë një kryeministër të ri – megjithëse grupi i tij nuk ka shumë figura të pranueshme për të gjitha palët – ose të shkojë sërish në zgjedhje, një veprim që do të ishte edhe më i rrezikshëm se ai i vitit të kaluar.
Pavarësisht se Franca nuk ka qenë në fokusin kryesor të vëmendjes ndërkombëtare për shkak të zhvillimeve globale, situata e brendshme në vend po përshkallëzohet gjithnjë e më shumë drejt një krize të thellë politike dhe sociale, me të cilën presidenti Macron do ta ketë shumë të vështirë të përballet.
Top Channel