
Australia po dëbon ambasadorin iranian në Canberra, pasi agjencia e inteligjencës së vendit zbuloi se Irani qëndronte pas të paktën dy sulmeve antisemite në tokën australiane.
Organizata e Inteligjencës së Sigurisë e Australisë (ASIO) e kishte lidhur Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) të Iranit me dy sulme zjarrvënëse vitin e kaluar, që synonin një restorant në pronësi të hebrenjve në Sydney dhe Sinagogën Adass Israel në Melbourne, tha kryeministri Anthony Albanese në një konferencë për shtyp.
“Këto ishin akte të jashtëzakonshme dhe të rrezikshme agresioni të orkestruara nga një komb i huaj në tokën australiane”, tha Albanese.
Ambasadori iranian, Ahmad Sadeghi, dhe tre anëtarëve të tjerë të stafit diplomatik u është dhënë shtatë ditë afat për t’u larguar nga vendi, tha Albanese. Është hera e parë që Australia ka dëbuar një ambasador të huaj që nga Lufta e Dytë Botërore.
Australia ka pezulluar gjithashtu operacionet në ambasadën e saj në Iran për sigurinë e zyrtarëve të saj konsullorë, dhe australianët në Iran janë nxitur të largohen nga vendi.
Albanese tha se IRGC-ja e Iranit – një krah elitar i ushtrisë iraniane që konsiderohet instrumental në shtypjen e disidencës në vend dhe në projektimin e fuqisë së Iranit jashtë vendit duke financuar milicinë në të gjithë Lindjen e Mesme – do të listohej gjithashtu si një agjenci terroriste. SHBA-të vepruan për ta shpallur atë një grup terrorist në vitin 2019.
“E kam thënë shumë herë se populli australian dëshiron dy gjëra: Ata duan që vrasjet në Lindjen e Mesme të ndalen dhe nuk duan që konflikti në Lindjen e Mesme të sillet këtu. Irani është përpjekur të bëjë pikërisht këtë”, shtoi Albanese.
“Ata janë përpjekur të dëmtojnë dhe tmerrojnë australianët hebrenj dhe të mbjellin urrejtje dhe përçarje në komunitetin tonë”, tha ai.
Australia po përballet me një rritje të sulmeve antisemite. Policia po heton lidhjet me kriminelë të paguar.
Drejtori i Përgjithshëm i ASIO-s, Mike Burgess, tha se sulmet antisemite në Australi u drejtuan nga IRGC-ja dhe u kryen nga “një grup ndërmjetësish”.
Dy sulmet e lidhura me Iranin nga ASIO përfshijnë një sulm me zjarrvënie në tetor 2024, në Lewis’ Continental Kitchen pranë Bondi Beach në Sydney, i cili u kishte shërbyer banorëve të Sydney-t ushqim për më shumë se 50 vjet.
Sulmi i dytë ndodhi në Sinagogën Adass Israel në Melbourne dhjetorin e kaluar, kur dy sulmues të maskuar u panë duke hedhur lëng brenda ambienteve përpara se t’i vinin flakën. Hetuesit e antiterrorizmit në Victoria kanë ngritur akuza për sulmin në sinagogën Adass. Arrestimi më i fundit u bë javën e kaluar. Policia pretendon se tre individë hynë me forcë në vendin e faljes dhe i vunë flakën qëllimisht.
Sulmet antisemite në Australi janë rritur që nga fillimi i hakmarrjes së Izraelit për sulmin ndërkufitar të Hamasit më 7 tetor 2023. “ASIO është ende duke hetuar përfshirjen e mundshme të Iranit në një numër sulmesh të tjera. Por dua të theksoj se ne nuk besojmë se regjimi është përgjegjës për çdo akt antisemitizmi në Australi”, tha Burgess.
Ministri i Punëve të Brendshme i Australisë, Tony Burke, i quajti veprimet e Iranit një “sulm të jashtëzakonshëm” që arriti në një “nivel të ri dhe krejtësisht të papranueshëm”.
“Australia u sulmua dhe Australia u dëmtua”, tha Burke.
Ministrja e Jashtme Penny Wong u bëri thirrje australianëve të largohen nga Irani pasi aftësia e qeverisë për t’i mbrojtur ata do të ishte “jashtëzakonisht e kufizuar”.
“I bëj thirrje çdo australiani që mund të jetë duke menduar të udhëtojë për në Iran, ju lutem mos e bëni. Mesazhi ynë është, nëse jeni australian në Iran, largohuni tani nëse është e sigurt ta bëni këtë”, tha ajo.
Ndërkohë që ende nuk ka pasur ndonjë koment zyrtar nga qeveria e Iranit, mediat iraniane nxituan të denonconin pretendimet e Kanberrës për përfshirjen e vendit në sulme. Agjencia shtetërore e lajmeve Fars tha se Australia kishte bërë “akuza të pabaza”, ndërsa agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve Tasnim tha se ambasadori i Iranit po dëbohej me “pretekste të rreme”.
Ambasada e Iranit në Canberra nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës së CNN për koment.
Top Channel