
Deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe ka ndarë një video të pazakontë në rrjetet sociale.
Në pamjet e ndara shihet një person, që sipas socialistit, përndjek një mjeke, duke i vendosur kamera në dritare dhe duke i shkuar atje herë pas herë për të bërë fotografi.
“Shiheni çbën: hipën me shkallë në tarracën e një ndërtimi të paligjshëm dhe i shkon dritare më dritare mjekes, përndjek atë dhe pacientet e saj; mjekja ndodhet në ambientin e saj të punës, që është pronë e saj,” shkruan Braçe.
Braçe bën me dije se ka shkuar personalisht në atë ambient dhe e ka hequr kamerën e paligjshme, ndërkohë që thekson se është e habitshme sesi Policia e Shtetit nuk vepron ndaj këtij përndjekësi, sipas Braçes.
“E mbani mend atë kamerën me të cilën një përndjekës përndiqte një mjeke në punën e saj? Atë që shkova dhe e hoqa vetë! Urdhëroni: ky është përndjekësi në dy ditë të ndryshme, brenda katër ditësh,” vijon deputeti socialist.
Erion Braçe shkruan se personi që shfaqet në pamje ndodhet në një hapësirë publike, të legalizuar “në mënyrë skandaloze dhe në kundërshtim me ligjin”, duke u rënë në qafë gjithë banorëve të pallatit.
“Tani, në vend që ndaj këtij personi të zbatohet ligji, të hetohet legalizimi skandaloz në një hapësirë publike, të hetohen ai dhe zyrtarët e korruptuar që e kanë mundësuar, të shembet ndërtimi dhe të çlirohet hapësira publike — përfituesi shkon edhe më tej, përndjek njerëzit në vendin e tyre të punës duke shkelur çdo ligj,” përfundon deputeti i PS.
Top Channel