
Borussia Dortmund ka vendosur të ndalojë hyrjen e familjarëve të lojtarëve në dhomat e zhveshjes, pas një incidenti që shpërtheu në ndeshjen hapëse të Bundesligës ndaj St. Pauli, e cila përfundoi 3-3.
Gjithçka nisi pasi Jobe Bellingham, i transferuar këtë verë nga Sunderland për 32 milionë euro, u zëvendësua në pushimin e pjesës së parë, në debutimin e tij si titullar në kampionat.
Dortmund po fitonte 1-0, por vetëm pesë minuta pas rifillimit të lojës St. Pauli barazoi dhe, megjithëse skuadra e Niko Kovac kaloi në avantazh 3-1, në fund barazoi 3-3 duke humbur dy pikë të vlefshme.
Sipas “Sky Sport Germany”, babai i lojtarit, Mark Bellingham, ishte i pakënaqur me vendimin e trajnerit dhe tentoi të konfrontohej me drejtuesit në tunel pas ndeshjes. Ai zhvilloi një debat të zjarrtë me drejtorin sportiv Sebastian Kehl dhe, sipas “BILD”, madje kërkoi të takonte vetë Kovac për të shprehur pakënaqësitë e tij.
Pas këtij episodi, drejtori i përgjithshëm i Dortmundit, Lars Ricken, konfirmoi se është marrë masa që vetëm lojtarët, trajnerët dhe stafi të kenë akses në zonën e dhomave të zhveshjes.
“Familja e Bellingham ishte e emocionuar dhe donte ta takonte Jobe pas ndeshjes, gjë që është e kuptueshme. Kishte një bisedë emocionale me Sebastianin, por gjithçka u zgjidh dhe nuk ka dramë. Thjesht në të ardhmen do ta shmangim këtë situatë,” – tha Ricken për “Sky90”.
Nga ana tjetër, trajneri Kovac u shpreh i zhgënjyer për rezultatin: “Kur je në avantazh 3-1, nuk mund të barazohesh 3-3, edhe nëse përballë ke një skuadër të fortë si St. Pauli.”
Jobe Bellingham, 19 vjeç, ka theksuar më parë se kalimi i tij te Borussia Dortmund nuk ka të bëjë vetëm me faktin se vëllai i tij, Jude Bellingham, shkëlqeu aty më parë, por se dëshiron të ndërtojë historinë e tij.
Top Channel