Kuqezinjtë startojnë me probleme, pak sinjale pozitive në prag të grumbullimit të parë pas pushimeve të verës

25/08/2025 15:48

Fillim relativisht i zbehtë për legjionarët ky start sezoni futbollistik anembanë globit.

Të pakta kanë qenë ngjarjet pozitive në këtë fundjavë startuese për disa lojtarë, mes tyre mund të vijojë golin e Myrto Uzunit në kampionatin amerikan.

Sulmuesi kuqezi arriti të shënojë gol dhe të asistojë në humbjen e skuadrës së tij, Austin në transfertën me Montrealin. Në minutën e 40′, sulmuesi i Kombëtares ndodhej në zonën e portierit teksa mori një pasim shumë të mirë për të dërguar topin në rrjetë. Në të 77′ pas një kundërsulmi të skuadrës së tij, beratasi i nxjerr një top fantastik në zonë Volfit, i cili nuk gabon për të ngushtuar diferencën e golave në 3-2, por që nuk mjaftuan për të evituar humbjen.

Rrugën e rrjetës e kanë gjetur edhe dy lojtarët shqiptarë që aktivizohen në kampionatin turk të futbollit, bëhet fjalë për mbrojtësin Arlind Ajetit dhe sulmuesin Taulant Seferit. Të dy bashkë ishin autorë në golat që Bodrumspor i shënoi Sakariaspor. Skuadra e dy futbollistëve të Kombëtares fitoi 3-1 përballë këtij kundërshtari. Pas barazimit 1-1 në pjesën e parë, në të dytën, fillimisht Ajeti në minutën e 60-të dhe më pas Seferi, vulosën fitorën për javën e tretë të Ligës së Parë. Një ndër emrat e përfolur në këto ditë t nxehta merkatoje në Serinë A, ka qenë ai I sulmuesit të Cezenës Kristjan Shpendi. Deri në gjetjen e një skuadre të re, futbollisti kuqezi ka gjetur rrugën e rrjetës në duelin e parë të Serisë B ndaj Peskarës. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 1 me 1. Në pjesën e dytë, për t’i dhuruar sërish avantazhin Çezenës, mendoi pikërisht Kristian Shpendi, i cili në minutën e 49-të, nuk fali, duke përshëndetur rrjetën me një gjuajtje të kalibruar brenda zonës. Një gol ky me shumë peshë i realizuar në këtë start të sezonit. Ndërkohë që me sa duket Shpendi tashmë ka bindur edhe trajnerin e kombëtares Sylvinho për t qenë pjesë e grumbullimit të parë pas pushimeve verore për dy ndeshjet e muajit shtator, atë të 4 shtatorit, miqësorja ndaj Gjilbraltarit dhe më 9 shtator ndaj Letonisë në Arenën Kombëtare.

Ndërkohë nga çfarë pritet më tepër nuk ka lajme të mira. Armando Broja për të dytën ndeshje qëndroi në stol tek skuadra e tij Bërneli në fitoren 2-0 ndaj Sunderlandit. “Nuk është larg formacionit, thjesht është disi prapa, nuk dua të rrezikoj,” – ka thënë trajneri i Brojës I pyetur për mungesën e blerjes së re.

Në një situatë edhe më pak të këndshme ndodhet Nedim Bajrami. Mesfushori i Kombëtares shqiptare ka parë trajnerin Rasëll Martin, që të marrë tjetër vendim drastik te Rejnxhërs. Trajneri i klubit skocez nuk e ka përfshirë Bajramin në ndeshjen e kampionatit, që Rejnxhërs zhvilloi ndaj St. Mirren. Kujtojmë se kjo është hera e dytë radhazi, që Bajrami nuk ndodhet në skuadër. Po ashtu edhe Ernest Muçi vazhdon të jetë kryefjalë në merkaton e Beshiktashit. Vazhdimisht zërat për të ardhmen e tij nga Turqia kanë ndryshuar. Mungesa e tij ndaj Luzanës në transfertën e Ligës së Konferencës, ka bërë që të nisin sërish aludimet. Dhe pse version zyrtar për mungesën e tij ishte për shkak dëmtimi, në Turqi raportojnë se për Muçin ka sërish interes nga jashtë vendit.

Top Channel