
Emërimi i parë në bashkinë e Durrësit, ndërsa në shtator pritet rifreskimi i trupës së drejtorëve dhe administratorëve.
Nga sot, Bashkia e Durrësit ka një nënkryetar të ri. Ing. Egert Hoxha u prezantua të hënën në këtë detyrë, duke ngritur siparin e emërimeve të tjera të pritshme në ditët në vazhdim.
Hoxha vjen nga sektori i energjisë. Për më shumë se një vit drejtoi OSHEE Durrës, ndërsa më herët ka qenë drejtor i kontrollit dhe zbatimit të standardeve në Drejtorinë e Përgjithshme të OSHEE-së, Tiranë. Me formim inxhinier elektrik dhe eksperiencë të gjatë në menaxhim, ai pritet ta sjellë këtë përvojë edhe në drejtimin vendor.
Hoxha plotësoi vendin e lënë bosh nga Renis Mullaj, i cili mori drejtimin e Spitalit rajonal Durrës pas fitimit të mandatit të deputetit nga drejtori i mëparshëm, Ani Dyrmishi.
Ndërkaq, pas kërkesës së kryeministrit Edi Rama për të larguar ujërat e ndenjura në bashkitë e vendit, në tryezën e kryebashkiakes së Durrësit, Emiriana Sako ndodhen dhe dorëheqjet e të gjithë drejtorëve, jo vetëm të bashkisë, administratorëve dhe dy nënkryetarëve të tjerë të bashkisë, të cilat po shqyrtohen para se të merret vendimi përfundimtar.
Top Channel