
Gazetari dhe publicisti i njohur, Artur Zheji, u nda nga jeta këtë të shtunë pas një arresti kardiak në moshën 63-vjeçare, ndërkohë që po kalonte pushimet në Sarandë së bashku me familjen e tij.
Zheji, duke përfaqësuar vlerat më të larta të rrënjëve të veta familjare, ka qenë një nga zërat më të artikuluar të shqiptarizmit në opinionin publik.
Në një nga monologjet e tij të fundit, ai na kujton dhe njëherë për identitetin tonë si shqiptar, duke thënë:
“Shqiptar, a ia vlen të jesh? Shpeshherë e kemi bërë këtë pyetje kur kemi zbritur nëpër porte në mënyrë masive, të depersonalizuar. Nëpër aeroporte, të depersonalizuar. Në kontrollet e policisë, në kontrollet e prefekturave. Në trajtimin si qytetarë të kategorisë së dytë, të tretë…
Nga ana tjetër, rilindës të mëdhenj dhe njerëz të cilët mund t’i quajmë themelues të kombit tonë, na thonë ndryshe. Na thonë që nuk duhet të jemi kokulur, nuk duhet të jemi të vetëpërbuzur, sepse ne kemi një identitet të thellë gjenetik. Jo të rremë, të vërtetë, që dikur i ka përkitur një qytetërimi të lashtë, të zhdukur, të goditur. Ne jemi një komb i përgjumur, i thyer me historinë tonë. Kemi humbur shumë beteja të mëdha, por kemi një gjuhë që nuk e kemi humbur dhe kemi një histori, kemi një bindje që kemi një histori që jehon në të sotmen tonë, si një realitet i patradhëtuar.
Ne shqiptarët gjithmonë akuzojmë njëri-tjetrin se jemi një popull tradhtarësh. Ne tradhtojmë shumë. Në radhë të parë tradhtojmë veten, tradhtojmë komshiun, tradhtojmë gjithçka për të cilën betohemi. Kemi tradhtuar shumë herë atdheun tonë, vendin tonë. Është e kotë që të mburremi si popull i besës. Vërtet e kemi legjendën, e kemi mitin e besës dhe fjalës së dhënë, por kemi realitetin e thekshëm të tradhtisë. Ky është mendimi im dhe s’ma heq njeri nga mendja, sepse faktet tregojnë që në momentet kyçe të historisë tonë, ne kemi bërë jo zgjedhjet e duhura. Sigurisht që kemi bërë zgjedhje epike një herë në 400-500 vjet, por sërish është e pamjaftueshme për një perandori”.
Top Channel