“Lufta për liri vazhdon”, Zelensky në Ditën e Pavarësisë: Ukraina nuk ka fituar ende, por sigurisht nuk ka humbur!

24/08/2025 14:38

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u zotua se vendi i tij do të vazhdojë luftën për liri dhe pavarësi, ndërsa qytetarët ukrainas shënuan përvjetorin e shkëputjes nga Bashkimi Sovjetik, më 24 gusht.

Në një mesazh drejtuar kombit, Zelensky tha se Ukraina do të luftojë derisa të arrihet një “paqe e drejtë”, ku siç theksoi, “e ardhmja jonë do të vendoset vetëm nga ne”.

Ukraina nuk ka fituar ende, por sigurisht që nuk ka humbur,” shtoi ai.

Deklaratat e Presidentit ukrainas vijnë në një kohë kur Moska akuzon Kievin për sulme me dron ndaj infrastrukturës energjetike, përfshirë një incident të regjistruar në centralin bërthamor të Kurskut, në perëndim të Rusisë.

Zjarri që shpërtheu në një transformator u vu nën kontroll pa shkaktuar lëndime, ndërsa autoritetet konfirmuan se nivelet e rrezatimit mbetën brenda kufijve normalë.

IAEA – Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike, u shpreh e informuar mbi incidentin, duke ritheksuar thirrjen për mbrojtje të vazhdueshme të të gjitha strukturave bërthamore. “Çdo objekt bërthamor duhet të mbrohet në çdo moment,” deklaroi drejtori i saj i përgjithshëm.

Ndërkohë, në Kiev, atmosfera ishte solemne, por e vendosur. Festimet për Ditën e Pavarësisë u zhvilluan pranë Katedrales së Shën Sofisë, ku krahas Presidentit Zelensky mori pjesë edhe Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney.

Carney rikonfirmoi mbështetjen e Kanadasë për Ukrainën, duke premtuar një pako ndihme ushtarake me vlerë mbi 1 miliard dollarë kanadezë, përfshirë dronë, municione dhe mjete të blinduara. Ai theksoi: “Kanadaja do të qëndrojë gjithmonë krah për krah me Ukrainën.”

Gjatë ceremonisë, i dërguari amerikan Keith Kellogg u nderua me Urdhrin e Meritës – shkalla e parë, për mbështetjen e ofruar ndaj Ukrainës. Pas fjalës falënderuese të Zelensky-t, Kellogg u shpreh: “Ne do ta bëjmë që kjo të funksionojë.”

Kreu i kabinetit presidencial ukrainas, Andriy Yermak, shkroi në Telegram “Në këtë ditë të veçantë – Ditën e Pavarësisë së Ukrainës – është veçanërisht e rëndësishme për ne të ndjejmë mbështetjen e miqve tanë. Dhe Kanadaja ka qëndruar gjithmonë pranë nesh.”

Po ashtu, Zelensky ndau me qytetarët një mesazh ngushëllues dhe motivues nga Mbreti Charles, i cili vlerësoi “shpirtin e pathyeshëm të popullit ukrainas”, duke uruar bashkëpunim të mëtejshëm për një “paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”.

Fjalët e Mbretit janë një frymëzim i vërtetë për popullin tonë në këto kohë të vështira,” përfundoi Zelensky.

Top Channel